Arbëri

Osmani u shpreh ngushëllime prindërve që humbën fëmijët nga sulmi në Beograd

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka shprehur ngushëllime familjarëve të fëmijëve që humbën jetën si pasojë e sulmit të një 14-vjeçari në një shkollë në Beograd të mërkurën.

Në mëngjesin e së mërkurës në shkollën “Vladislav Ribnikar”, autori K.K. vrau tetë nxënës dhe rojën e shkollës si dhe plagosi disa të tjerë.

“S’ka asgjë më të vlefshme se jeta e një fëmije dhe asgjë më të dhimbshme se humbja e asaj jete. I shpreh ngushëllimet më të thella të gjithë prindërve që humbën fëmijët e tyre nga sulmi i tmerrshëm në shkollën në Beograd dhe lutemi për rikuperim të shpejtë të gjithë të plagosurve”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Për sulmin në shkollën në Beograd ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Ai tha se të shtënat ishin tragjike dhe tronditëse, derisa iu shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave.

“Të shtënat në shkollë në Beograd këtë mëngjes ishin tragjike dhe tronditëse. Asgjë s’mund t’i justifikojë veprimet e tilla. Iu shpreh ngushëllimet e mia familjeve të viktimave, duke iu uruar gjithashtu shërim të shpejtë të plagosurve”, shkroi ai në Twitter.