Arbëri

Kurti-Cholletit: Marrëveshja bazë dhe aneksi të zbatohen në tërësi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Biseda e Kurtit me Cholletin ka ardhur para rundit të ardhshëm të bisedimeve në Bruksel që do të mbahet të martën.

“Kam pasur një bisedë të mirë telefonike me këshilltarin e Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, ku keni diskutuar për agjendën e takimit të nesërm. I kam cekur rëndësinë që Marrëveshja bazë dhe Aneksi duhet të zbatohen plotësisht dhe në mirëbesim. Po ashtu e kam falënderuar për përkrahjen e SHBA-së”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Të martën do të mbahet takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. 

Për bisedën ka njoftuar edhe Chollet.

“Bisedë shumë e mirë me kryeministrin Albin Kurti për takimin e liderëve më 2 maj për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE-ja, për rëndësinë e implementimit të menjëhershëm të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe për partneritetin e fuqishëm SHBA-Kosovë”, ka shkruar Chollet në Twitter.