Arbëri

Nxit reagime pritja e Begajt në Kroaci me flamurin “Autokton”

Përdorimi i flamurit “Autokton” gjatë vizitës që presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka bërë në Zarë të Kroacisë në fundjavë, ka nxitur reagime.

Mediumi “Zadarski” ka shkruar të shtunën se gjatë një vizite në një shkollë në Zarë, gjatë intonimit të himnit kombëtar shqiptar, disa fëmijë me veshje kombëtare kanë shpalosur “flamurin e Shqipërisë etnike, krahas portretit të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit”. Flamuri pati bërë bujë pas shfaqjes në stadiumin e Beogradit, kur Shqipëria përballej me Serbinë në futboll vite më parë.

Në një moment, në video shihet se një person u është afruar të rinjve duke u kërkuar të ndalnin valëvitjen e flamurit dhe ata e dëgjojnë. Sipas raportimit, në bisedimet mes përfaqësuesve të Ambasadës së Shqipërisë në Zagreb dhe komunitetit arbëresh, ishte arritur dakordimi që gjatë vizitës së Begajt të përdorej formulimi se ai po viziton diasporën shqiptare, por Këshilli Lokal ka insistuar se arbëreshët as s’janë diasporë shqiptare e as komunitet pakicë, por e identifikojnë veten si kroatë.

“Gjatë gjithë ngjarjes, as që e kam vënë re flamurin, por e pash vetëm në gazeta e portale. Të jem i drejtpërdrejtë: Në emrin e këshillit lokal dhe të gjithë banorëve, e distancoj veten nga ky veprim dhe s’ka të bëjë asgjë me ne. Flamujt zyrtarë të Kroacisë dhe Shqipërisë ishin në skenë dhe kjo ishte e mjaftueshme. Jam i befasuar se përse askush nga sigurimi presidencial s’ka reaguar. Doli diçka e shëmtuar, jo mirë. Gjithçka është e qartë, anëtarët e komunitetit kombëtar shqiptar nga Zara dhe lokalët morën pjesë në program dhe ne jemi shqiptarë dhe kroatë. Nëse do ta shihnim flamurin, do ta largonim vetë. Nuk kemi pritur që dikush do të sillej ashtu e të abuzonte mikpritjen tonë”, ka thënë Zvonimir Rogiq, president i Këshillit Lokal Arbëresh.

Konsulli i nderit në Zarë, Anton Dedaj, po ashtu ka thënë se nuk e ka parë flamurin. “Sinqerisht, nuk e di se nga erdhi, e di që flamujt zyrtarë të Kroacisë dhe Shqipërisë ishin të vendosur, aty ku e kishin vendin, por nuk di për flamuj të tjerë. Ka qenë e panevojshme”, ka thënë Dedaj.

Presidenti i Këshillit të Qytetit të Zarës, Marko Vuçetiq, ka thënë se kjo ka qenë ngjarje kulturore dhe jo politike. “Po ta shihja flamurin, sigurisht do të largohesha, sepse sapo të shfaqej flamuri i ‘Shqipërisë etnike’, çdo ceremoni zyrtare duhet të ndalet. Gjithsesi, nuk ka hapësirë për befasi kur shtetet braktisin historinë e vërtetë dhe bien në interpretime nacionaliste të historisë. Do të ketë gjithnjë e më shumë”, ka thënë Vuçetiq.

Ndërkaq për vizitën në Zarë, Begaj ka thënë se komuniteti arbëresh ka luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

“I jemi mirënjohës këtij komuniteti për ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare . Këtë trashëgimi të vyer të kombit tonë që bashkëatdhetarët tanë, arbanasit e Zadarit e kanë përcjellë në breza, kemi detyrimin e përbashkët ta ruajmë dhe ta promovojmë edhe më shumë”, ka shkruar ai në Facebook të shtunën.

Më 2014, flamuri “Autokton” u bë lajm botëror pasi përmes dronit hyri në stadiumin ku po luhej ndeshja e futbollit Serbi – Shqipëri. Ndeshja më pas u përshkrua me incidente të mëdha dhe u ndërpre.