Komisioni për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Parlamentit të Malit të Zi ka caktuar për 3 maj një seancë dëgjimore për kryeministrin në mandatin teknik, Dritan Abazoviq, lidhur me votën pro për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës më 24 prill e ka pranuar aplikimin e Kosovës dhe e ka përcjellë atë për votim në Asamblenë e saj Parlamentare. Në këtë Komitet, përfaqësuesi i Malit të Zi ka votuar pro Kosovës, duke iu bashkuar 33 shteteve mbështetëse nga 46 anëtaret e KiE-së.
Seanca për Abazoviqin, i cili e mban edhe detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme, është mbështetur nga deputetët e Frontit Demokratik (DF) me qëndrime proruse, nga ata të Partisë Popullore Socialiste proserbe (SNP) dhe të demokratëve, me sugjerimin e kryetarit të Komisionit, Miodrag Lekiq.
“Të na shpjegojë metodën, me të cilën është vendosur që të përkrahet Kosova si anëtare e Këshillit të Evropës. Kjo çështje është e diskutueshme. Vendimi është marrë tepër lehtë kur janë duke u zhvilluar negociata të rëndësishme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Lekiq në takimin e Komisionit.
Ai ka pretenduar se hapja e kësaj çështjeje “nuk përfaqëson një politikë antishqiptare”.
Nga Fronti Demokratik kanë njoftuar më herët se vendimi për pranimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në KiE paraqet një mundësi për të filluar mbledhjen e nënshkrimeve në kishat dhe manastiret e Kishës Ortodokse Serbe për tërheqjen e vendimit të Malit të Zi për njohjen e Kosovës.
Gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, Abazoviq ka theksuar se Mali i Zi do ta mbështesë integrimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe ato rajonale.
Podgorica zyrtare e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur në vitin 2008, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të udhëhequr nga Milo Gjukanoviq, i cili është zëvendësuar në gusht të vitit 2020, pas tri dekadash në pushtet./REL