Arbëri

Bislimi: Kosova e përkushtuar ndaj vlerave evropiane

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është takuar nga sekretari i Suedisë për Çështje Evropiane, Christian Danielsson, me të cilin ka biseduar për proceset e integrimit evropian.

Zyra e Kryeministrit njoftoi të enjten se Bislimi ka folur për procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe fazat e ardhshme drejt integrimit.

“Vendi ynë ka shfaqur dhe treguar përkushtimin ndaj vlerave evropiane e vullnetin për të avancuar drejt standardeve evropiane. Orientimin e Kosovës e dëshmuan më së miri Raporti për Vendin i Komisionit Evropian i vitit të kaluar e po ashtu dhe rankimet e vazhdueshme pozitive, e në rritje të vendit në indekset ndërkombëtare si Transparency International, World Justice Project, V-Dem Democracy Index, Freedom House e shumë të tjera. Ata shfaqën avancimin e Kosovës në fusha kyçe si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sundimi i ligjit, demokratizimi, zhvillimi ekonomik e mbrojtja e të drejtave kolektive e lirive individuale”, thuhet në komunikatën drejtuar mediave.

Në njoftim u tha se Bislimi ka folur për rrugëtimin e Kosovës drejt familjes evropiane.

“Si vendi me përkrahjen më të madhe ndaj integrimit në strukturat evropiane nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe e shtyrë nga forca, vullneti dhe energjia e një popullate me moshë mesatare të re, Kosova është gati të bëjë hapa të rëndësishëm dhe solid në integrimin brenda familjes evropiane. Në këtë takim si dhe përgjatë vizitës dhe qëndrimit në Stockholm, zëvendëskryeministri Bislimi u shoqërua nga Ambasadorja e Kosovës në Suedi, Shkëndije Geci”, thuhet tutje.