Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë se situata “do të kishte qenë më e mirë nëse negociatat mes Beogradit e Prishtinës do të zhvilloheshin nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara”.
“Situata aktuale është pasojë e politikës katastrofale që u zhvillua nga viti 2000 deri në vitin 2021”, tha Simiq, raporton televizioni “RTS”.
Simiq ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka treguar “vazhdimisht se cilat janë vija të kuqe”.
“Kështu nuk ishte në të kaluarën. Ne kemi ndjekur një politikë të papërgjegjshme, pasojat e së cilës i vuajnë sot serbët në Kosovë e M. Edhe 11 vjet pasi Z. Jeremiq u largua nga pushteti në Serbi, prapë edhe sot kemi problemet e njëjta, që mes serbëve keni kufi në Jarinjë e Bërnjak. Keni vula doganore, keni një kërkesë sipas marrëveshjes së vitit 2011, që serbët të heqin dorë nga targat serbe. Të gjitha ato marrëveshje janë bërë në dëm të popullit serb”, tha Simiq.
Ai i ka bërë thirrje Vuçiqit të mos i dëgjojë ata që udhëhoqën politikën e jashtme në Serbi nga viti 2000 deri më 2012.
Këshilli i Sigurimit të OKB-së të sot shqyrton raportin gjashtëmujor të UNMIK-ut për Kosovën.
Kryetari i Partisë Popullore serbe, Vuk Jeremiq, për “RTS” ka thënë se seanca e sotme në OKB është ndër më të rëndësishmet në dhjetë vjetët e fundit.
Jeremiq ka thënë se Serbia ka arritur një marrëveshje të pafavorshme. Jeremiq ka thënë se ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, e ka mundësinë në Këshillin e Sigurimit të enjten të tregojë se çfarë marrëveshje arriti Vuçiqi në Ohër.