Arbëri

Ramaj: Njësia për Hetime të Veçanta, e vetmja që s’i nënshtrohet Qeverisë

Gazetarja e Grupit KOHA, Saranda Ramaj, ka thënë se Njësia për Hetime të Veçanta, ish-Task Forca e shuar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, është e vetmja njësi brenda Policisë që nuk i është nënshtruar dhe as nuk ka tendenca t’i nënshtrohet Qeverisë.

Ramaj e ka konsideruar këtë si lajm të mirë për demokracinë.

Njësia për Hetime të Veçanta u mor me rastin e arrestimin të ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, më 19 prill. Ai është në paraburgim për 30 ditë.

“Është ish-Task Forca e shuar në kohën e Avdullah Hotit. Njësia për Hetime të Veçanta është një vlerë e madhe për Kosovën, është e vetmja njësi brenda Policisë së Kosovës që nuk i është nënshtruar dhe nuk ka tendenca t’i nënshtrohet Qeverisë. Ky është lajm i mirë për Kosovën. Por proceduralisht edhe këta, edhe ndonjë prokuror, mund të bëjë ndonjë gabim. Por vetëm desha ta potencoj se është njësi shumë e rëndësishme. E garanton njëfarë lloj demokracie në vend”, ka thënë ajo në “Konfront” të KTV-së.