Ish-kryeministri i Kosovës, tani deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, i është kundërpërgjigjur ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili sot tha se si pasojë e asaj që LDK-ja e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për çmimet tavan, qytetarët po paguajnë më shtrenjtë për produktet: vaj, miell dhe bukë.
Sipas Hotit po të mund të kufizohej me ligj rritja e çmimeve në ekonominë e tregut, “sigurisht se gjermanëve, amerikanëve, britanikëve, e shumë të tjerëve që kanë ekonomi tregu, do u kishte ra ndërmend deri më tani”.
“Në fakt, po, inflacioni mund të kufizohet me ligj, por vetëm në sistemet komuniste. Kosova është vend i lirë, me demokraci dhe ekonomi të tregut, e shpallur më 2008, e kundërshtuar nga disa, por tani është realitet që detyrimisht duhet respektuar, përfshirë disa që kanë bindje tjera dhe që stuhia i solli në qeveri”, ka shkruar Hoti në Facebook