Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se në vikend do të mbajë mot me vranësia dhe me mundësi shiu.
Sipas njoftimit të këtij Instituti ditën e shtunë parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të çrregullta. “Vranësirat gjatë ditës parashihen të shoqërohen me riga shiu, kryesisht në pjesën perëndimore dhe veriperëndimore të Dukagjinit. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1-4 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 12-16 gradë Celsius”, thuhet në njoftim.
Ndërsa të dielën parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët, por thuhet se nuk do të mungojnë edhe intervalet me diell. “Vranësirat vende-vende parashihen të sjellin riga shiu. Në fushat termike nuk do të ketë ndryshime ,kryesisht në vlerat e temperaturave maksimale, ndërsa minimale do të shënojnë rritje të lehta. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 2-5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 13-16 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja e lehtë deri mesatare”, thuhet në njoftim.
Ndërsa për javën e ardhshme sipas Institutit parashihet mot me reshje të intensitetit mesatar deri të lartë, ndërsa temperaturat maksimale thuhet se do të shënojnë ulje të lehta për shkak të prezencës së masave të ajrit nga drejtimi i verilindjes.