Arbëri

Banorët kërkojnë të mos ndryshohet traseja e magjistrales Prishtinë-Pejë

Me protestë para Qeverisë është kundërshtuar të enjten projekti i Ministrisë së Infrastrukturës për magjistralen Prishtinë-Pejë. Projekti, për të cilin kanë nisur procedurat, parasheh që magjistralja nga Kijeva të vazhdojë nëpër Dollc e të anashkalojë fshatrat Gllarevë, Rixhevë e Stapanicë, nëpër të cilat kalon rruga e vjetër. Banorët e këtyre fshatrave kanë dyshime se prapa këtij devijimi qëndrojnë figura të njohura të biznesit e politikës

Banorë të fshatrave të Klinës: Stapanicë, Rixhevë e Gllarevë, kanë protestuar të enjten para ndërtesës së Qeverisë për të kundërshtuar projektin e magjistrales Prishtinë – Pejë, e që i anashkalon këto fshatra.

“Mbaj premtimet, kryeministër”, “Rruga aktuale është e shpronësuar”, “Jo devijim të rrugës” e “Bizneset po vdesin”, ishin disa nga pankartat që protestuesit mbanin në duar.

Ministria e Infrastrukturës ka nisur procedurat tenderuese për këtë magjistrale që, sipas projektit, traseja do të kalojë nga Kijeva nëpër Dollc.

Protestuesit kanë hedhur dyshime se prapa devijimit fshihen figura të njohura të biznesit dhe politikës.

“Mendojmë që për disa arsye personale ose për disa individë të kthehet rruga matanë. Ajo trase ende pa filluar puna është shitur. Është blerë nga dikush që ne nuk e dimë interesin e tyre”, ka thënë banori i fshatit Gllarevë, Enver Haxhiaj.

Një protestues tjetër ka thënë se me realizimin e këtij projekti do të bllokohen disa fshatra e do të mbyllen shumë biznese.

“Në protestë kemi ardhur për arsye të devijimit të trasesë së rrugës Kievë – Gjurgjevik, do të thotë që Stapanicë, Regjevë, Gllarevë i anashkalon dhe devijimi është kah arat e bukës. Traseja ekzistuese në vitet ‘70 është e shpronësuar me katër korsi, pra nuk ka nevojë të bëhet shpronësimi në këtë anë”, u shpreh Isuf Mehmetaj, po ashtu banor i Gllarevës.

Magjistralja Prishtinë – Pejë është e rregulluar dhe me katër korsi deri në Kijevë. Nga aty deri në Pejë është rruga e vjetër me dy korsi. E një pjesë e kësaj rruge me projektin e ri do të mbetet e papërfshirë në magjistrale.

“Ky është krim, krim është me na lënë 5 a 6 fshatra, me na blloku, me na e marrë tokën e bukës. Qe 50 e ca vjet ajo tokë është e pranuar, rrugë kryesore. Tash e lënë atë rrugë kryesore, tokën e bukës duan të na e marrin, të na e mbyllin. Vetëm ta lëshojmë Kosovën, nuk kemi kah të shkojmë”, deklaroi një protestues.

Përfaqësues të këtyre fshatrave kanë thënë se në takimin e mbajtur më herët me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kanë marrë premtime se ekipet do të dalin në terren për të rishikuar mundësitë që të akomodohen kërkesat e tyre.

KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Infrastrukturës për këtë çështje, mirëpo nuk ka marrë përgjigje gjatë të enjtes.