Arbëri

Mustafa: Akuzat kryesore të Speciales ranë në fillim, janë të rreme

Rrustem Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Llapit, deklaroi se akuzat kryesore të Gjykatës Speciale kanë rënë ende pa nisur proces i gjykimit, derisa tha se nga ky proces s’beson që do të dalë gjë.

Ai tha në Konfrontin e KTV-së të mërkurën se prej kur ka përfunduar lufta në Kosovë, Serbia dhe Rusisë kanë punuar që të njolloset Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e me këtë rast edhe bashkësia ndërkombëtare dhe NATO-ja. Sipas Mustafës, akuzat e Dhomave të Specializuara janë ndërtim i rrejshëm dhe propagandë.

“Akuzat e Speciales janë ndërtim i rrejshëm. Propagandën dhe rrenat s’kemi mundur t’i ndalim për UÇK-në. Serbia ka pasur strategji për të luftuar UÇK-në. Akuzat kryesore ranë ende pa filluar gjyqi. Të gjithë ata dëshmitarë që munden të jenë dëshmitarë në Gjykatë, janë të tillë duke mos besuar as ata vet, dëshminë e shfaqin në media dhe në publik. E shoh që interesimi i Serbisë është vetëm të hapë flluska, fjalë dhe propaganda të ndryshme kundër akterëve të UÇK-së”, tha Remi.

Sipas tij, kurrë s’do të faktohen akuzat e Serbisë për krime të kryera nga UÇK-ja, pasi siç tha ai, UÇK-ja ka luftuar për liri.

“Kemi qenë të detyruar ta pranojmë Specialen duke ditur se pas luftës, boshti i së keqes ruso-serb kishte nisur denigrimin e UÇK-së dhe të njerëzve që udhëhiqnin si shkas për të goditur NATO-n. UÇK-ja ka marrë në krah NATO-n dhe botën e qytetëruar. Serbia s’na e ka falur këtë, e ka përdorur boshtin ruso-serb që është edhe më tutje për të bërë të gjitha ato që i ka bërë”, theksoi ai.

Remi shtoi se gjatë luftës kanë ndodhur probleme të ndryshme, por që sipas tij, vrasjet e individëve kanë vazhduar edhe pas luftës. Një numër i madh i të vrarëve sipas ish-komandantit të Zonës së Llapit, ka ndodhur edhe ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së.