Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, është takuar të martën me emisarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të cilin ka folur edhe për procesin e negociatave Kosovë-Serbi.
Pas kësaj vizite, Begaj ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë duhet të ndodhë me njohjen reciproke në qendër.
“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me në qendër njohjen e tyre reciproke, është një proces me ndikim të madh rajonal, si në kuadër të aspekteve të sigurisë ashtu edhe të zhvillimit të qendrueshëm të tij”, ka thënë Begaj, raporton TCh.
Begaj ka shkruar edhe në Facebook për këtë takim, ku është shprehur se me Escobarin kanë rikonfirmuar pozicionet e palëkundura të Shqipërisë dhe SHBA-së për të ardhmen euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.
“Vlerësova partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së, si dhe shpreha mirënjohjen për kontributin e SHBA-së në rritjen e kapaciteteve kibernetike të Shqipërisë. Nënvizova rolin e paçmuar që Shtetet e Bashkuara dhe Escobari kanë luajtur në procesin e negociatave Kosovë-Serbi”, është shprehur ai.