Arbëri

Rubini për normalizimin Kosovë – Serbi: Duhen edhe disa vendime të vështira

James Rubin

I dërguari special i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, James Rubin, ka vlerësuar se ka një perspektivë më të ndritur për rajonin e Ballkanit Perëndimor nëse zbatohet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, raporton “Vijesti”.

Rubin ka folur në një konferencë për media gjatë vizitës së tij në Mal të Zi.

Siç ka thënë ai, SHBA-ja mirëpret marrëveshjet në të cilat po punon Bashkimi Evropian dhe po ndihmon Kosovën dhe Serbinë që të kenë marrëdhënie normale.

Rubin ka nisur të hënën vizitën në Ballkanin Perëndimor, ndërsa pas Podgoricës do ta vizitojë Beogradin, Shkupin dhe Tiranën.

Rubin kishte qenë ndihmës i Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright në periudhën 1997-2000.

Ai ka folur për dallimet në rajon nga ajo kohë dhe tash.

“Unë shoh dallime të mëdha në krahasim me kohën e luftës, mjerkimit dhe masakrave masive të civilëve të pafajshëm. Tash mund të shohim perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë, nëse liderët e pranojnë mundësinë që u është dhënë. Ata thjeshtë duhet të marrin disa vendime të vështira. Asgjë e mirë nuk ndodh në botë nëse nuk merren vendime të vështira. Disa vendime të vështira tashmë janë marrë, por duhen të merren edhe disa tjera”, tha Rubin.

Rubin ka folur edhe për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ka dallime. Aleksandar Vuçiq po punon me zyrtarët e Kosovës për normalizim”, ka shtuar Rubin, duke thënë se Rusia nuk do të dëshironte normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai beson se mënyra më e mirë për të adresuar problemet është ndarja e interesave të Serbisë dhe Rusisë. Thotë se njerëzit kanë filluar të shohin se Pekini dhe Moska po shpenzojnë miliarda për të manipuluar opinionin në mbarë botën.

“Ka njerëz që s’do ta pranojnë se Rusia e pushtoi Ukrainën. Ka një arsye për këtë, sepse bazat e informatave janë të helmuara, kështu që njerëzit e kanë të vështirë të shohin diçka që realisht duhet të jetë bardhë e zi”, tha Rubin, koordinator i Qendrës për Angazhim Global.