Të hyrat tatimore nga janari deri më 31 mars 2023, kanë shënuar rritje për 32.8 milionë euro apo 18.5% më shumë, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas njoftimit nga Administrata Tatimore e Kosovës, shuma e përgjithshme e të hyrave të mbledhura për këtë tremujor është gjithsej 210.4 milionë euro, ku ka më shumë të hyra të mbledhura për 6.2 milionë euro, krahasim me planin për këtë periudhe.
Tutje theksohet se faktorët të cilët kanë ndikuar në rritjen e të hyrave, janë reformat e shumta të cilat ka ndërmarrë ATK-ja vitet e fundit, siç janë konsolidimi i funksionit në mbledhjen dhe trajtimin e borxheve tatimore, digjitalizimin e 100% të shërbimeve ndaj tatimpaguesve, projektet e përmbushjes tatimore e veprime të tjera.
“Veç këtyre, indikacion i rëndësishme në rritjen e të hyrave tatimore janë edhe mekanizmat e dizajnuar në rritjen e llogaridhënies nga ana e stafit, e cila edhe është vlerësuar së fundi nga raportet e organizatave ndërkombëtare – FMN, UNDP etj. Institucioni i ATK-së do të vazhdojë me intensitet të shtuar rritjen e aktiviteteve në teren, me qëllim të implementimit të planit operativ dhe planit të përmbushjes për vitin 2023 drejtë realizimit të synimeve të saj, por të arritur këto synime çdoherë do të ketë nevojë për partneritet me qytetarët, për rastet me të cilat hasen në parregullsi tatimore. Andaj, përmes kësaj komunikate njoftojmë se çdo raportim përmes linjës pa pagës 0800 80 800 do të mbetet konfidencial”, thuhet në njoftim.