Arbëri

Vajza e Gecit për komunikatën e UÇK-së: Babanë s’ka mundur ta shkatërrojë UDB-ja, e lëre më Thaçi

Descriptive Text

Vajza e Gani Gecit, Marigona, ka shfrytëzuar pozitën si deputete e Kuvendit, për të komentuar komunikatën numër 59 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e që u përdor nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në akuzat për krime lufte ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Sipas Prokurorisë, komunikata kërkonte “që një individ i etiketuar si kolaboracionist të keqtrajtohej”.

Kjo komunikatë ka qenë për Gani Gecin. Deputetja Geci ka falënderuar dy të akuzuar që, sipas saj, “zbardhën faktin se ajo komunikatë është shkruar nga Thaçi”.

Geci në seancën e Kuvendit të enjten ka thënë se familjen e saj s’ka mundur ta shkatërrojë as shërbimi sekret serb e kriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviq. E shkatërrimin e familjes Geci, deputetja e LDK-së ka deklaruar se nuk mund ta bëjë as Thaçi.

“Mbajeni në mend të gjithë ju se familjen dhe babanë tim s’ka mundur ta shkatërrojë UDB-ja e Millosheviqi, jo po e shkatërron Hashim Haxhi Polari prej Broje”, ka thënë ajo.

Deputetja ka falënderuar Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, të dy të akuzuar për krime lufte në Hagë, për siç thotë ajo, zbardhjen e komunikatës 59 të UÇK-së

“Në emrin timin dhe familjes Geci, dua ta falënderoj Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin për zbardhjen e komunikatës 59. Pas publikimit të aktakuzës, e kam lexuar një pjesë të deklaratës të Selimit rreth babait tim, rreth bashkëluftëtarit të Adem Jasharit. Sipas deklaratës të Rexhep Selimit, përmes një thirrje telefonike satelitore, Thaçi i kishte lexuar komunikatën 59 Selimit, kur Selimi e kishte pyetur pse e kishte përfshirë të pavërtetën rreth Gecit, Thaçi ishte përgjigjur në mënyrë që ta shkatërrojmë plotësisht. Sipas deklaratës të Rexhep Selimit, Thaçi paska tentuar ta shkatërrojë familjen dhe babanë tim. Edhe në vitin 1945, Serbia është munduar ta shkatërrojë familjen time, por ka shpëtuar babagjyshi im Ademi, ndërsa tani përveç gjashtë xhaxhallarëve të mi dhe babait, jemi 120 anëtarë të tjerë. Tani në Kuvend, për zbardhjen e komunikatës 59, dua t’i falënderoj udhëheqësit e zonës operative të Drenicës, luftëtarët e Prekazit dhe Llaushës, që kundërshtuan komunikatën 59 qysh më datën 8 nëntor 1998. Dua ta falënderoj gazetarin Milazim Zeka për kontributin në zbardhjen e kësaj komunikate”, ka thënë Geci.

Në fjalën hyrëse, Prokuroria pati publikuar një video të shkurtër në një paraqitje televizive të Selimit, e në të cilën ai shprehej se kjo komunikatë ishte shkruar nga Thaçi.