Arbëri

Blakaj: Mund të duhen edhe katër vjet që të përfundojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë ka thënë se Prokurori i Specializuar ka përdorur strategji dhe fjalor agresiv në seancat gjyqësore që kanë nisur në Hagë kundër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai në “60 Minuta” në KTV ka thënë se asnjë proces tjetër gjyqësor nuk do të jetë aq i rëndësishëm sa ky tani që po zhvillohet.

“Prokuroria e ka një strategji goxha agresive, fjalori ishte i tillë. Tentohej nga ana e Prokurorisë të krijohej, ka përdorur pak patetizma lidhur me pretendimet e tyre për të akuzuarit. E ka paralajmëruar një strategji goxha të ashpër. Kurse mbrojtja kryesisht e ka përdorur elementin që UÇK-ja, Shtabi i Përgjithshëm nuk ka pasur ndikim në terren, që ndikimi më i madh ka qenë i komandantëve lokalë sesa Shtabi i Përgjithshëm”, ka thënë ai.

Blakaj është shprehur se nuk dihet nëse mund të ketë arrestime të reja pas deklarimeve të mbrojtjes për kalimin e përgjegjësisë nga ish-udhëheqësit e UÇK-së tek komandantët e zonave gjatë luftës.

“Është vështirë të kalkulohet në këtë moment. Procesi kryesor para Dhomave të Specializuar është ky. Ky ishte shënjestrimi kryesor i Prokurorisë. Ndoshta nëse dështon ky proces, mund të ketë procese të tjera, por asnjë proces nuk do jetë i rëndësisë sa është ky”.

Sipas Blakajt, mbrojtja ka bërë mirë që ka përmendur rrethanat gjatë viteve 1998-99, gjë që ZPS-ja e ka anashkaluar.

“Është me rëndësi që i kanë përmendur të gjitha ato ngjarje, dhe atë kontekst që ka ekzistuar në Kosovë në vitet 98-99, diçka që e kishte shmangur Prokuroria ta përmendte. Prokuroria tenton ta krijojë rastin në atë mënyrë që t’i shkojë asaj në favor. Nuk i ka përmendur pothuajse fare krimet masive që ishin kryer nga forcat serbe. Mbrojtja e ka bë me intencë të mirë të vendoset konteksti si ka qenë situata në atë kohë”.

Blakaj ka theksuar se nuk duhet të besohet se Gjykata Speciale po gjykon UÇK-në.

“Përgjegjësia është individuale. Edhe pse të akuzuarit janë akuzuar me doktrinën ligjore, ndërmarrje e përbashkët kriminale, megjithatë nuk duhet besuar se para kësaj gjykate është UÇK-ja”, ka thënë ai.

Ndërsa ka folur për dëshmitarët, Blakaj ka thënë se pjesën më të madhe të tyre publiku mund të mos i dëgjojë.

“Kam frikë që shumicën nuk do t’i dëgjojmë apo pjesën qendrore të rrëfimeve të tyre. Ky është problem i madh por publiku duhet ta dijë se të akuzuarit dhe mbrojtja i dëgjojnë”.

Të vështirë e sheh procesin gjyqësor për shkak të kohës së gjatë që ka kërkuar ZPS-ja për dëshmi.

“Vështirësohet procesi për shkak të tejzgjatjes, konsumon një kohë të jashtëzakonshme. Prokuroria ka kërkuar një kohë jashtëzakonisht të gjatë dhe kam frikë se do të duhen edhe katër vjet që të përfundojë ky proces gjyqësor”.

Blakaj ka shtuar se në Kosovë do të duhet të krijohej një dhomë speciale për krime lufte në kuadër të gjykatave të rregullta, një gjykatë që nuk është e përkohshme, që do merrej për kohë të gjatë me procese gjyqësore dhe do të ndiqte penalisht të gjithë ata ndaj të cilëve që Prokuroria ka prova për krime gjatë luftës.

Ai ka konsideruar se numri i të dënuarve për krime lufte është tejet i vogël në krahasim me numrin e viktimave gjatë luftës në Kosovë.

“Me aktgjykim të plotfuqishëm deri tash janë dënuar 36 shqiptarë dhe 6 serbë për krime lufte të kryera, në Kosovë. Tejet i vogël në krahasim me viktimat e luftës. Numri më i madh është në disproporcion me krimet e kryera, më shumë ka pasur në Kosovë të dënuar shqiptarë sesa serbë. Në një dhomë speciale në Serbi deri tash ka pasur disa procese gjyqësore për krime lufte, atje janë dënuar 15 serbë dhe dy shqiptarë. Në Tribunalin e Hagës janë dënuar 6 serbë dhe dy pjesëtarë të UÇK-së”, ka thënë Blakaj.