ZPS: Viktimave iu kërkua të hiqnin dorë nga LDK-ja dhe Rugova

- 16:08ZPS: Viktimave iu kërkua të hiqnin dorë nga LDK-ja dhe Rugova
- 14:04Prokuroria: Viktimat u maltretuan nëpër stalla kafshësh me urdhër të Shtabit të UÇK-së
- 12:48ZPS: Shtabi i UÇK-së i shënjestroi pamëshirshëm kundërshtarët
- 10:39Prokuroria: Të akuzuarit kryen krime për të fituar pushtet
- 10:07Thaçi e të tjerët deklarohen të pafajshëm
- 09:47Nis gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve
- 07:59Sot fillon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve
ZPS: Viktimave iu kërkua të hiqnin dorë nga LDK-ja dhe Rugova
Zyra e Prokurorisë Speciale deklaroi se pos maltretimit nga Shtabi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave iu kërkua që të hiqnin dorë nga përkrahja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe nga ish-kreu i saj, Ibrahim Rugova.
Prokuroria tha se të ndaluarit u mbajtën në dhoma të izoluara dhe të ruajtura nga ushtarë të UÇK-së, derisa shtoi ata u rrahën dhe u gjymtuan nëpër pjesë të trupit.
“Në Baicë, Thaçi e Sabit Geci i morën në pyetje të ndalurit duke i identifikuar si rugovist, duke iu kërkuar të nënshkruanin deklarata për të hequr dorë nga Ibrahim Rugova dhe nga LDK-ja. Në Cahan të ndaluarit u trajtuan si bashkëpunëtorë të serbëve apo simpatizantë të Serbisë. Një tjetër praktikë është se të ndalurit në shumë vende u mbajtën në dhoma apo mjedise që i mbanin të kyçura apo të ruajtura nga anëtarë të UÇK-së. Të ndalurit mbaheshin të lidhur me njëri-tjetrin apo edhe me objekte të tjera, përfshirë pemë, radiatorë. Këto vende diheshin mirë nga të akuzuarit”, u tha nga ZPS-ja.
Sipas ZPS-së, viktimat mbaheshin të lidhur dhe ishin detyruar të urinonin në një koovë të lidhur në vendin ku flinin. Prokuroria shtoi se disa persona mendonin që “më të mirë të kishin vdekur, sesa të mbaheshin ashtu”.
“Në Kleçkë të ndalurit u shkelmuan me këpucë ushtarake...Në Llapushnik dhe Verban disa të ndaluarve ua shkulën thonjtë e duarve me darë...Të ndaluarit në Likofc, Jabllanicë, Zllash, Drenoc Bar e Bajgorë, Llapashticë, u kërcënuan me vdekje e personave të afërt. Një viktimë u kërcënua me përdhunimin dhe vrasjeve e gruas dhe së bijave, ndërsa në Llapashticë disa të ndaluar u detyruan të hapnin varrin e vet”, u tha tutje.
Prokuroria tha se provat tregojnë se viktimat që i shpëtuan vrasjes, përfunduan me probleme të rënda fizike dhe mendore.
“Ata patën nevojë të shkonin në spital dhe të merrnin trajtim, e pësuan probleme shëndetësore psikike dhe fizike. Trauma afatgjate. Viktimat që dolën gjallë ende vijojnë të vuajnë pasojat fizike dhe psikologjike. Këto viktima vuajnë ende. Incidentet s’janë shteruese, gjatë këtij gjyqi do të dëgjoni prova të tjera. Viktimat kanë vuajtur në heshtje dhe në frikën e hakmarrjes. Viktimat duhet të marrin drejtësinë”, u tha tutje.
Ndërsa, Prokuroria tha se janë intervistuar rreth 1.000 dëshmitarë, shumica prej tyre shqiptarë.
“Kemi folur edhe për viktimat. Kemi dëgjuar histori të vuajtjeve të paimagjinueshme. ZPS-ja do të paraqesë prova të krimeve që kanë ndodhur mbi 40 qendra ndalimi të UCK-së, edhe në bazat kryesore të shtabeve të komandës. Nga provat që do të paraqiten, demonstrimet më të qarta janë fjalët dhe veprimet e të akuzuarve. Thaçi, i njohur si ‘Gjarpri’, sipas një dëshmitari ndërkombëtar, kur kishte çështje për të trajtuar, përtej zonës shkonte te Thaçi. Veseli duke e prezantuar veten si gazetar, thoshte se është ‘Luli, të gjithë e dinë kush jam’. Selimi që ka përdorur nofka të ndryshme e ka pranuar se ka qenë në terren të Kosovës. Krasniqi u konsiderua si personi që mishëronte shtabin e UÇK-së”, tha tutje ZPS-ja.
Mbrojtësit: Viktimat kanë vetëm një të përbashkët, ishin viktima të krimeve pa pikë justifikimi
Në deklaratat hapëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, avokati i viktimave, Simons Laws, ka thënë se kur janë kryer krimet, të akuzuarit nuk kanë menduar që një ditë do të mund të gjykoheshin një ditë.
Ai ka thënë se ka viktima që kanë qenë pjesë e UÇK-së e ka edhe të atillë që kanë qenë dhe edhe sot janë kundër saj.
Laws ka theksuar se viktimat në këtë proces gjyqësor janë të kategorive të ndryshme.
“Viktimat në këtë grup nuk duhet të shikohen si një grup homogjen, por si një përfaqësim i shoqërisë kosovare në vitin 1998-1999, në mes tyre ka anëtarë të komuniteteve shqiptare, serbe dhe rome e që janë anëtarë të besimeve myslimane, katolike dhe ortodokse, disa prej tyre nuk kishin asnjë pikë interesi në politikë, ndërkohe që të tjerë ishin pjesëtarë të LDK-së, disa ishin fëmijë kur krimet janë kryer kundër anëtarëve të familjeve të tyre e disa të tjerë ishin në moshë mesatare”, ka theksuar Laws.
Ai ka deklaruar se viktimat e këtij procesi, siç ka thënë diçka më shumë se 140 persona, ndajnë një të përbashkët. Sipas tij kjo e përbashkët është se ata janë “viktima të krimeve që nuk kishin pikë justifikimi, krimeve që sollën vdekje e vuajtje në jetën e tyre, për gjëra që nuk kishin faj”.
Sipas tij jeta e këtyre viktimave ndryshoi kur “ata u vunë në shënjestër”.
“Ajo ditë erdhi në forma të ndryshme për njerëz të ndryshëm, disa ishin me familjet e tyre, madje edhe duke festuar, ndërkohë që të tjerë jetonin përditshmërinë e tyre, disa po bënin një udhëtim që iu ndërpre në gjysmë, e disa ishin duke fjetur në shtrat kur burra të maskuar erdhën dhe morën bashkëshortët e tyre ... asgjë nuk mund të justifikojë atë që iu bë atyre, pasi i morën, disa nga dëmtimet që iu bënë ishin thjeshtë fizike, u rrahën, u torturuan duke iu bërë plagë gjatë gjithë kohës, u kanë shkaktuar humbje dhëmbësh, thonjsh apo dëmtime të tjera të natyrës fizike., ata që janë torturuar kanë kaluar vajtje të tmerrshme në atë kohë, e disa kanë vazhduar të vuajnë traumat, ende kanë makthe”, ka deklaruar Laws.
Ai ka thënë se viktimat janë mbajtur në qendra të ndalimit, janë torturuar dhe janë vrarë nga pjesëtarë të UÇK-së.
“U keqtrajtuan mizorish në atë gjendje të keqe që ishin, disa u rrahën pa mëshirë për ditë me radhë, disave u hodhën kripë nëpër plagët e tyre, apo iu shkulën thonjtë, disa u kaluan në rrymë elektrike, të tjerët u përdorën si pllakate qitjeje me municion të vërtetë, fatlumët mbijetuan, por shumë u vranë”, ka theksuar Laws.
Sipas Laws, viktimat ose familjarët e viktimave ende janë të frikësuar e në Kosovë etiketohen si tradhtarë e jopatriotë.
Ai ka folur edhe për frikësimin e viktimave për të dëshmuar.
“Janë bërë përpjekje për t’i turpëruar shqiptarët që të mos flasin, dhe unë do të them që këto përpjekje nuk kanë funksionuar dhe nuk do të funksionojnë”, është shprehur Laws.
Ai ka thënë se ndër të tjera, Gjykata do të duhet të nxjerrë edhe urdhra për zhdëmtim të dëshmitareve.
“Në mënyrat si vijim. T’u jap mundësinë të kuptojnë pse u kryen krimet kundër tyre, e të kuptojnë kush ishte përgjegjës për to. Kjo gjykatë do të jetë në gjendje të pranojë dëmin që u shkaktua e mund ta bëjë këtë pavarësisht vendimit në aktakuzë. Është e mundur që urdhrat për këtë gjykatë, të nxjerrë urdhra për zhdëmtim të llojeve të ndryshme, që mund të kontribuojnë në procesin e rikuperimit të dëmit që u është shkaktuar viktimave. Është e mundur që puna mund të fillojë me procesin e ndryshimit të sjelljes së viktimave të UÇK-së ndër ta, disa në Kosovë. Këto janë synimet që ne në llogaritë e tyre kemi parasysh teksa fillon kjo çështje”, është shprehur Laws.
Seanca e së hënës është mbyllur me fjalën e avokatëve të viktimave. Trupi gjykues ka bërë të ditur se gjykimi do të vazhdojë të martën në orën 09:00 me deklaratat hyrëse të ekipit mbrojtës të të akuzuarve.
Prokuroria: Viktimat u maltretuan nëpër stalla kafshësh me urdhër të Shtabit të UÇK-së
Zyra e Prokurorisë Speciale ka vazhduar me prezantimin e provave që i inkriminon Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin në krime kundër njerëzimit.
Prokuroria përmendi para trupit gjykues lokacionet ku dyshohet se janë kryer disa nga krimet, me lejen dhe udhëheqjen e të akuzuarve.
“Viktimat u morën në pyetje, u rrahën dhe u maltretuan fizikisht. Të paktën 102 viktima nuk mbijetuan, por vdiqën mizorisht. Këto veprime përbënin veprën penale të përndjekjes për arsye politike ose etnike. Ndonëse intensiteti ishte i ndryshëm, krimet kryheshin në mënyrë të vazhdueshme. Provat tregojnë se krimet u kryen në praktika të ngjashme kohore dhe hapësinore. Pra, ishin të zgjeruara, pjesë e një sulmi që shënjestronte kundërshtarët. Ato u kryen për realizmin e krimit të përbashkët kriminal. Provat do të na tregojnë se të akuzuarit janë fajtorë”, u tha nga ZSP-ja.
U përmend transferimi dhe keqtrajtimi i disa personave në gushtin e 1998-s, nga fshati Bare i Mitrovicës drejt Bajgorës. Sipas ZPS-së, ky veprim u krye me vendim dhe me dijeni të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në Jabllanicë, ku siç është në aktakuzë, në prill të 1998-s dhe korrik të 1998-s, u mbajtën 13 persona në periudha të ndryshme kohore. Në këtë vend, ku shfrytëzohej si kazermë ishin 3 të vrarë dhe 1 i zhdukur me forcë. Të akuzuarit vizituan Jabllanicën. Të paktën 4 viktima që ishin mbajtur, njëri prej tyre ishte pronar i një dyqani, e një i ri donte të kyçej në UÇK. Si pasojë e rrahjeve, njëri s’mund të merrte frymë mirë, e tjetri ishte ënjtur. Ata u akuzuan si kolaboracionistë dhe spiunë”, u lexua në provat e ZPS-së.
Sipas Prokurorisë, edhe në fshatin Llapushnik të Skenderajt u mbajtën me forcë disa persona, e në fund disa ishin liruar, ndërsa “dy viktimat që arritën të arratiseshin u kapën dhe u pushkatuan me pushkë”.
“Anëtarë të UÇK-së e morën një banorë të Zllashit e rrahën dhe kur e dërguan e rrahën atje disa pjesëtarë të UCK-së. Ai u akuzua si kolaboracionist dhe u rrah, duke i shkaktuar lëndime të rënda”, u tha tutje.
Prokurori: Raportet tregojnë se UÇK-ja ishte e informuar që ushtarët e saj s’po e respektojnë marrëveshjen e demilitarizimit
Prokurori i specializuar, Alan Tieger, derisa ka përmendur disa raste të “ndalimeve të paligjshme” nga pjesëtarët e UÇK-së, që po gjykohen për krime lufte në Hagë.
Ai ka deklaruar se ka raporte të UNMIK-ut, KFOR-it dhe organeve të tjera që tregojnë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë e informuar në mënyrë të vazhdueshme që ushtarët e saj nuk po e respektonin marrëveshjen e demilitarizimit, por megjithatë kanë vazhduar të ndalonin në mënyrë të paligjshme serbët dhe civilë të tjerë që janë cilësuar si bashkëpunëtorë.
“Ndërkombëtarët ishin në dijeni të qendrave të ndalimit në këtë periudhë dhe kanë biseduar me z.Thaçi në mënyrë të drejtpërdrejt për këtë gjë. Ka raporte të UNIMK-ut, të KFOR-it dhe të organeve të tjera që tregojnë se UÇK-ja është e informuar në mënyrë të vazhdueshme që ushtarët e vet nuk po respektonin marrëveshjen e demilitarizimit, përfshirë këtu edhe shërbimet e zbulimit dhe policinë ushtarake dhe se ushtarët e tyre po ndalonin në mënyrë të paligjshme serbët dhe civilë të tjerë”, ka thënë ai.
Tieger ka prezantuar si prova edhe disa intervista të ish-kreut të UÇK-së, Jakup Krasniqit, dhënë për gazetën gjermane “Die Spiegel” dhe “Kohën Ditore”, ku ka thënë se “bashkëpunëtorët janë paralajmëruar se do të vriten nëse do të vazhdojnë në rrugën e gabuar”.
“Në intervistën e tij për ‘Die Spiegel’, z.Krasniqi ka thënë se ‘Kolaboracionistët i kemi lajmëruar që do të vriten nëse do të vazhdojnë rrugën e gabuar’. Më vonë Krasniqi konfirmon saktësinë e këtij artikulli. Muaj më vonë z.Krasniqi ka dhënë intervistë për Kohën Ditore dhe iu bë pyetja lidhur me dënimin ndërkombëtar të veprimeve të UÇK-së që shënjestronin civilët. Duke u përpjekur, duke qenë në pozitë jokomode për të shpjeguar dhe për të justifikuar praktikën që ka shkaktuar dënimin, ai bëri disa pranime: ‘ka pasur raste kur ka pasur kidnapime, por në këtë rast ata janë dorëzuar në organizatat ndërkombëtare, sigurisht kur edhe kanë qenë të pafajshëm. Ne nuk e preferojmë kidnapimin edhe nëse dikush ka vuajtur ata kanë qenë kryesisht kolaboracionistë shqiptarë sesa civilë serbë. Ne nuk merremi me civilë dhe i kthejmë ata që janë marrë si të burgosur lufte’”, ka thënë ai.
Prokurori i specializuar më tej ka thënë se Rexhep Selimi ka pranuar gjatë intervistës së tij me ZPS-në se edhe ai ishte në dijeni që bëheshin ndalime, megjithëse ai pretendon se nuk e dinte saktësisht se ku ishin qendrat e tilla.
“Do të dëgjojmë gjithashtu prova nga dëshmitarë të shumtë dhe dokumente të ndryshme sa i takon Shërbimit Informativ që është drejtuar nga z.Kadri Veseli. Një shënim nga një bllok shënimesh të UÇK-së nga korriku i 1998, ku renditë shumë persona të dyshuar si bashkëpunëtorë të pretenduar. Aty thuhet se puna dhe detyra e sektorit të zbulimit përfshin zbulimin e bashkëpunëtorit të armikut dhe kidnapime, veprime, aktivitete me zyrtarë të policisë ushtarake. Më 20 shtator 1998, 13 anëtarë të delegacionit parlamentar në një vizitë humanitare në Qirez u arrestuan, u ndaluan, u keqtrajtuan nga anëtarë të UÇK-së përfshirë këtu Hashim Thaçin dhe Rexhep Selimin”, ka thënë ai.

ZPS: Shtabi i UÇK-së i shënjestroi pamëshirshëm kundërshtarët
Zyra e Prokurorisë së Gjykatës Speciale ka vazhduar me paraqitjen e provave që i përfshin të akuzuarit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në krime lufte.
Prokuroria tha se të akuzuarit, përfaqësues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i shënjestruan pamëshirshëm dhe ashpër kritikët e UÇK-së dhe “bashkëpunëtorët kolaboracionistë”.
Sipas ZPS-së, kritikët u vranë, u keqtrajtuan mizorisht dhe u ndoqën.
“Kundërshtarë ishin ata persona që ishin të lidhur me institucionet serbe ose ata që s’i mbështesnin politikat e UÇK-së. Këta quheshin tradhtarë, kolaboracionistë. Provat tregojnë se këto terme ngatërroheshin... Në shumë raste keqtrajtoheshin në forma të tmerrshme. Të akuzuarit e keqpërdorën postin për të urdhëruar, nxitur dhe ndihmuar zbatimin e këtij plani gjatë gjithë periudhës së aktakuzës. Cilat janë provat për këtë, ato i gjeni të qarta në mënyrë të përsëritur në komunikata zyrtare, të bëra me dije”, ka thënë kryetari i hetuesve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Ward Ferdinandusse.
Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, provat gjenden në komunikatat e lëshuara nga UÇK-ja, nga intervistat e të akuzuarve dhe nga njoftimet zyrtare.
“Shtabi ndoqi një politikë të shënjestrimit të pamëshirshëm të kundërshtarëve. Komunikata e parë doli në nëntor të vitit 1994. Kjo politikë u përsërit vazhdimisht gjatë viteve 1996, 1997 dhe 1998. Komunikatat shpallnin ekzekutimet e të ashtuquajturve kolaboracionistëve dhe tradhtarëve. Të akuzuarit do të viheshin në shënjestër dhe do të goditeshin pa mëshirë. Kjo politikë u përsërit nëpër komunikata”, u tha tutje në paraqitjen e provave.
“Krasniqi e ka pranuar nën betim se sulmet ndaj kolaboracionistëve kanë ndodhur vërtetë. S’ka kuptim të përshkruhet politika e shënjestrimit si propagandë. Komunikatat kërkonin dhe lejonin nga komandantë që të vinin në shënjestër kundërshtarët për t’i ndaluar dhe ndëshkuar. Krasniqi i kishte identifikuar disa komunikata që kanë dalë nga shtabi i UÇK-së”, shtoi zyrtari i ZPS-së.
ZPS: Komunikata nr.59, më e përfolura
Kryetari i hetuesve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Ward Ferdinandusse, foli për komunikatat e lëshuara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë luftës.
Ai tha të hënën para trupit gjykues se ndër komunikatat më të përfolura ishte Komunikata nr.59, që dënonte “një linjë kolaboracionistësh”, e që bëhej fjalë për ish-luftëtarin Gani Geci.
“Thaçi e kishte pranuar se Shtabi komunikonte me komunikata. Komunikata 59 akuzoi një linjë e donin që ky person të bëhej objekt keqtrajtimi, në mos vdekjeje. Thaçi pretendonte se kjo komunikatë s’ishte lëshuar nga Shtabi, po nga individë keqdashës”, deklaroi ai.
Zyrtari i ZPS-së lëshoi edhe deklarimin e të akuzuarit tjetër, Rexhep Selimi, ku kishte deklaruar se komunikata nr.59 ishte shkruar nga Thaçi.
Zyra e Prokurorisë përmendi se për Komunikatën 59, Thaçi kishte deklaruar se ishte lëshuar “nga banhofat”.
“Në komunikatat zyrtare të Shtabit, kundërshtarët futeshin në të njëjtin grup me ata që bënin luftë speciale. Kritikat kundër taktikës dhe mbështetjes që kundërshtarët u jepnin zgjidhje alterantive konflikteve. Porosia ishte e qartë, çdo pajtim politik do të vjen në shënjestër pa mëshirë. Operacionet e veçanta ndaj atyre që quheshin kolaboracionistë kanë ndodhur”, u tha tutje nga Ferdinandusse.
Prokuroria: Të akuzuarit kryen krime për të fituar pushtet
Prokurori i specializuar, Alex Whiting, deklaroi para trupit gjykues se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi kryen krime lufte për të fituar pushtet gjatë luftës.
Ai tha të hënën se të akuzuarit kryen krime dhe nxitën kryerjen e krimeve gjatë luftës, ndërsa shtoi se për këtë ishte e njoftuar edhe bashkësia ndërkombëtare.
“Të akuzuarit u përfshinë në zbatimin e kësaj politike duke caktuar komandantët dhe strukturat. Provat do të tregojnë se politika u vu në jetë që prej fillimit e deri në fund të luftës, nga veriu në jug, dhe pati praktikë shënjestrimin e kundërshtarëve. Qëllimi kriminal për t’i vënë në shënjestër kundërshtarët nuk ishte i fshehtë. Mesazhi përsëritej se kush pretendoi se kush ishte tradhtar përbënte kërcënim”, tha ai.
Sipas Whiting, në 20 vjetët e fundit është kërkuar që viktimat dhe familjarët e tyre ta mbyllin gojën dhe të mos flasin për krimet por, sipas pretendimeve të tij, kjo nuk ishte e lehtë për ata që kanë përjetuar dhimbje.
“Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë vetëm me krimet që kanë bërë këtë katër të akuzuarit, një vështirësi për këtë proces do të jetë vetëm frika që do të kenë dëshmitarët gjatë procesit gjyqësor...Është e lehtë t’i thuash këto kur nuk je viktimë, por për viktimat e ngritura në aktakuzë dëmi dhe traumat janë diçka që jetojnë përditë. E mbajnë gjithmonë mbi supe. Viktimat kanë të drejtë të gjykohen dhe për ta të vihet në vend drejtësia”, tha ai.
Prokurori i specializuar, Alex Whiting, shtoi se Thaçi kishte shkuar disa herë në Hagë dhe ishte intervistuar nga Zyra e Prokurorisë Speciale për rolin e tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Hashim Thaçi erdhi disa herë fshehurazi në Hagë për t’i dhënë ZPS-së intervistë të videoincizuar. Gjatë këtyre intervistave ai mohoi shumëçka me rolin e tij në luftë dhe rolin e UÇK-së. Ai pretendoi se Shtabi i Përgjithshëm s’kishte asnjë funksion deri në nëntor të 98-s, e edhe para kësaj date ekzistonte vetëm në letër. Ai e mohoi se kishte dijeni për ndalimet. Provat do të tregojnë se këto pretendime janë të rreme”, shtoi ai.
“Thaçi dhe Veseli ishin persona që kishin kontaktuar me persona në diasporë. Një ndër ushtarakët ishte Bislim Zyrapi, që hyri në maj të 98-s i shoqëruar nga Thaçi e Veseli. Ai ishte ushtarak profesionist dhe mbajti poste të larta në UÇK gjatë gjithë luftës. Thaçi ka thënë se kishte marrë detyrën për zyrën politike drejt fundit...Komunikatat ishin një lloj i veçantë komunikimi dhe ishin elemente të rëndësishme për Thaçin e Krasniqin”, deklaroi zyrtari nga Prokuroria.
Prokuroria i prezantoi disa filmime të intervistave të mëhershme të Thaçit e, Selimit. U përmend edhe Fatmir Limaj, si komandant i UÇK-së.
“UÇK-ja kishte ftuar mbledhje në Malishevë, e regjistruar, ku folën Limaj dhe Shukri Buja”.
Në pamjet e shfaqura ZPS-ja citoi Limajn, ku kishte deklaruar se të gjitha zonat e luftës udhëhiqeshin nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Thaçi e të tjerët deklarohen të pafajshëm
Thaçi e të tjerët deklarohen të pafajshëm
Ish-kreu i Ushtrisë i Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi para trupit gjykues se është plotësisht i pafajshëm.
Ai tha se e konfirmon deklarimin e tij të parë se është i pafajshëm, derisa Gjykata po i pyet të akuzuarit e tjerë, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi për t’u deklaruar për fajësinë ose pafajësinë.
Të akuzuarit nga Gjykata Speciale, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, u deklaruan sërish të pafajshëm para trupit gjykues të hënën.
Ata e konfirmuan deklarimin e seancës së parë, ku ishin deklaruar të pafajshëm.
Ndërsa ish-kreu i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se është i pafajshëm dhe s’ka asnjë lidhje me akuzat që u lexuan.
“S’kam asnjë lidhje me pikat që i lexoi prokuroria para pak kohësh. Akuzën e kuptoj, por nuk pajtohem pasi nuk mbaj asnjë përgjegjësi me atë që e flet akuza. Jam plotësisht i pafajshëm”, tha ai.
“Po gjithsesi e shpreh pakënaqësinë time për një vonesë të tillë 2-vjeçare e gjysmë, megjithatë ju falënderoj, jam tërësisht i pafajshëm”, tha Veseli.
“Jam i pafajshëm për të gjitha pikat në aktakuzë”, deklaroi Selimi.
Ndërsa Zyra e Prokurorisë Speciale i numëroi pikat e akuzës.
“Të akuzuarit me anë të pjesëmarrjes së përbashkët kryen, ndihmuan dhe inkurajuan. Dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e kryera ishin në prag të kryerjes ose ishin kryer nga vartësit dhe nuk morën masat për parandalimin e atyre dhe për ndëshkimin e kryerësve të tyre. Ata kanë përgjegjësi penale për: ndjekje, krim kundër njerëzimit, burgosje, arrestim, akte të tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit i ndëshkuar, trajtim mizor, krim lufte, torturë, krim kundër njerëzimit, torturë, vrasje e paligjshme”.
Trupi gjykues ka thënë se udhëhiqet nga fakti që gjykimet të jenë publike.
Sipas këtij trupi, redaktimi i emrave të dëshmitarëve është i mundshëm, duke shtuar se seanca private do të ketë sa më pak dhe se palët janë udhëzuar që ta planifikojnë mirë marrjen në pyetje.
Nis gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Ka nisur gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli dhe deputetit të LVV-së Rexhep Selimi.
Gjatë ditës së sotme, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të paraqesë deklaratën hyrëse dhe për këtë i ka në dispozicion 5 orë.
Pas kësaj, është mbrojtësi i viktimave që do të bëjë deklaratën hyrëse, e cila pritet të zgjasë deri në 45 minuta.
Procesi do të vazhdojë me deklaratat hyrëse të ekipeve mbrojtëse.
Krejt këto pritet të përfundojnë të mërkurën, më 5 prill, ndërsa paraqitja e provave do të fillojë një javë më vonë me thirrjen e dëshmitarëve të prokurorisë.
Sot fillon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve
Në Gjykatën Speciale fillon sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilët Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se kanë kryer krime lufte.
Pas një procedure të gjatë paragjyqësore, për gati tri vjet, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, do të dalin para trupit gjykues.
Aktakuza ndaj tyre ishte konfirmuar në nëntor të vitit 2020 për t’u ndryshuar pastaj më 3 shtator 2021, 29 prill dhe 30 shtator 2022.
Ndërsa versioni i aktakuzës me më pak redaktime, e cila është në fuqi aktualisht, u dorëzua në shkurt të këtij viti.
Gjatë ditës së sotme, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të paraqesë deklaratën hyrëse dhe për këtë i ka në dispozicion 5 orë.
Pas kësaj, është mbrojtësi i viktimave që do të bëjë deklaratën hyrëse, e cila pritet të zgjasë deri në 45 minuta.
Procesi do të vazhdojë me deklaratat hyrëse të ekipeve mbrojtëse.
Krejt këto pritet të përfundojnë të mërkurën, më 5 prill, ndërsa paraqitja e provave do të fillojë një javë më vonë me thirrjen e dëshmitarëve të prokurorisë.
Sipas Dhomave të Specializuara, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në ketë proces gjyqësor.
Kundër ish-krerëve të UÇK-së pritet të dëshmojnë mbi 300 dëshmitarë të prokurorisë.
E për t’i përfunduar këta dëshmitarë ka dalë se nevojiten dy vjet kohë.
Ndërsa vetëm për të përmbyllur çështjen e prokurorisë është thënë se do të duhen deri në 5 vjet e gjysmë.
Kjo periudhë është konsideruar e gjatë nga ekipet mbrojtëse, ndërsa trupi gjykues i kishte kërkuar prokurorisë që të reduktojë këtë numër.
Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Në paraqitjet e tyre para gjykatësit të procedurës paraprake ata janë deklaruar të pafajshëm.
Ndërsa në mbështetje të tyre, në prag të fillimit të gjykimit, në Prishtinë është mbajtur një marsh.
Ndërkaq sot në Hagë, në afërsi të objektit të Gjykatës Speciale, shqiptarë të diasporës do të mblidhen në një protestë paqësore për të treguar mbështetjen e tyre për të akuzuarit si dhe luftën e UÇK-së.


DASH: Bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë për depërshkallëzimin është i nevojshëm

Kabashi-Ramaj: Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë momentum për të marrë avantazh në negociata

Daçiqi thotë se video ku shfaqet Radoiçiqi nuk ishte e ditës së sulmit

Kearns: Ngjarja në veri nxjerr në pah dështimet nga politikat që kënaqin autokratët

Gërvalla: Vuçiqi është eksportues i terrorizmit

Kurti: Në Bruksel, Vuçiqi tha se Radojçiqi do të bëhet Adem Jashari i serbëve

Trajtimi dhe terapia e foshnjës 10-muajshe, prej majit peng i procedurave administrative

Përfundon aksioni i bastisjes në Banjskë

Berisha për sulmin terrorist: Skenar i përbashkët i Kurtit, Vuçiqit dhe ndërmjetësve

Kosovës e Serbisë u bëhet thirrje t’u kthehen bisedimeve dhe zbatimit të marrëveshjes

Sulmuesit e vrarë në Banjskë vlerësohen “të pafajshëm” nga kryekuvendari i Republika Sërpskas
