Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përmendur disa nga veprimet e ndërmarra nga Qeveria për punësimin e pakicave në Kosovë.
Në konferencën për koordinimin e donatorëve për komunitetet joshumicë, të organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të mërkurën, Kurti ka thënë se në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, midis kosovës dhe Serbisë, çështja e komuniteteve joshumicë trajtohet me prioritet.
“Gjithashtu, në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, në të cilin marrë pjesë së bashku me ekipin tim dhe veçanërisht me kryenegociatorin Bislimi, çështja e komuniteteve joshumicë ose mbrojtja dhe të drejtat e minoriteteve trajtohet me prioritet dhe vëmendje gjatë gjithë kohës”, ka thënë ai.
Kurti më tej ka thënë se janë siguruar 500 bursa për nxënës të shkollave të mesme nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian dhe 100 bursa për studentët e këtyre komuniteteve në universitetet publike.
“Zyra për çështje të komuniteteve po ashtu ofron 5 bursa këtë vit për studentët nga komunitetet joshumicë për të studiuar në programin e ballkanistikës në kuadër të Universitetit të Prishtinës. Kjo është një mënyrë e shkëlqyeshme për të fituar aftësitë dhe kualifikimet që do të mundësonin punën si një prej përkthyesve shqip-serbisht me siguri të nevojshme”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se Ministria për Komunitete dhe Kthim ka punuar vitin e kaluar në stabilizimin e komunitetit përmes krijimit të 123 bizneseve të vogla dhe fillestare për komunitetet joshumicë në partneritet me BE-në dhe IOM-in.
“Prej tyre, 48 ishin për komunitetin serb, 27 për komunitetin boshnjak, 21 për komunitetin egjiptian, 10 për komunitetin ashkali, 5 për komunitetin goran dhe 4 për komunitetin rom”, ka shtuar Kurti.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.