Arbëri

Lapsat që s’e përshkruajnë tmerrin në familjen Berisha

Kutia me lapsa, e cila u gjet bashkë me trupin e Mirat Berishës 10-vjeçar në Batajnicë. Ai u vra bashkë me 51 familjarë të tjerë, 24 vjet më parë
 

Janë bërë 24 vjet që kur paramilitarët serbë kanë masakruar 52 anëtarë të familjes Berisha në Suharekë. Familjari Hysni Berisha thotë se ai nuk është intervistuar asnjëherë nga Prokuroria Speciale, edhe pse e pa gjithë ngjarjen. Shpreh keqardhje që disa dëshmitarë kanë vdekur duke mos pasur mundësinë të dëshmojnë

Një kuti të vogël me lapsa e kishte me vete 10-vjeçari Mirat Berisha, kur ai dhe 51 anëtarët e familjes Berisha u masakruan nga forcat serbe në mesditën e 26 marsit në Suharekë, para njëzet e katër vjetësh.

Mjetet me të cilat ai synonte të ndriste të ardhmen e tij u gjendën në një gropë me mbetje mortore afër fshatit Korishë të Prizrenit, më 1 shtator 1999, gjashtë muaj pas masakrës.