Ngrihet shqetësimi për sigurinë gjatë zgjedhjeve në veri
Shqetësime për sigurinë gjatë zgjedhjeve të 23 prillit në katër komunat veriore të Kosovës, kanë shprehur njohës të çështjeve politike. Një ditë pasi vendet e QUINT-it u deklaruan pro mbajtjes së tyre, edhe pa pjesëmarrjen e Listës Serbe, ata thanë se në këtë variant mund të përshkallëzohet situata
Njohës të çështjeve kanë theksuar të shtunën se do të jetë sfidë për institucionet organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve për kryetarë në katër komunat veriore të Kosovës, pa pjesëmarrjen në proces të Listës Serbe.
Mundësinë e përshkallëzimit të situatës në këtë pjesë të banuar kryesisht me serbë, ata e ngritën një ditë pasi ambasadat e pesë vendeve të QUINT-it u shprehën pro zhvillimit të tyre më 23 prill, edhe pa këtë subjekt.
Politologu, Nexhmedin Spahiu, shprehet skeptik se në këtë variant, zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan, do të kalonin pa probleme.
“Kjo nuk është kurrfarë garance. Kjo është vetëm një përkrahje politike e Kosovës dhe një shuplakë presidentit Vuçiq. Unë jam goxha skeptik që ato do të mund të mbahen pa probleme të mëdha të sigurisë, pa kërcënime, shantazhe ndaj komisionarëve, vëzhguesve dhe sidomos ndaj atyre që marrin pjesë në zgjedhje”, ka thënë ai.
Qëndrim të njëjtë shprehu edhe njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri. Ai tha se tensionet mund të krijohen, pasi zhvillimi i zgjedhjeve pa Listën Serbe mund të shihet si anashkalim i saj dhe përpjekje për të krijuar një klasë të re politike.
“Lista Serbe dhe veriu në përgjithësi është një kontekst shumë specifik në të cilin Kosova nuk ka shumë ndikim, por natyrisht bashkësia ndërkombëtare ka ndikim. Do të duhej që në mënyrë indirekte, me presionet e Bashkësisë ndërkombëtare ndaj Beogradit, pastaj me presionet e Beogradit ndaj politikanëve të veriut, që të rregullohet kjo situatë”, ka deklaruar Muhaxhiri.
Por, për Spahiun, nëse institucionet e Kosovës arrijnë ta zhvillojnë procesin zgjedhor në veri pa incidente, do të ishte sukses i madh për shtetin.
“Është goxha njëfarë sfide e sigurisë dhe tash nuk e di nëse Policia e Kosovës i ka ato kapacitete apo jo. Nëse kryhen, sado që të jetë numri i vogël i pjesëmarrësve në zgjedhje, kjo do të ishte goxha një sukses i madh”, ka deklaruar ai.
Ndërkaq, Muhaxhiri ka theksuar se pavarësisht mbajtjes ose jo të zgjedhjeve, procesi nuk mund të ketë legjitimitet.
“Pa pjesëmarrjen e Listës Serbe, faktikisht dhe fatkeqësisht nuk do të mund të ketë legjitimitet të zgjedhjeve në atë pjesë sepse ky subjekt politik përbën shumicën absolute dhe nuk do të mund të konsiderohen valide zgjedhjet nëse dikush me një numër simbolik të votave do t’i fitojë zgjedhjet në veri”, është shprehur Muhaxhiri.
Një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia kanë shprehur qëndrimin pro organizimit të zgjedhjeve më 23 prill, në veriun e banuar kryesisht me serbë.
Ambasadat në Prishtinë të të pesë vendeve të Quintit, në një deklaratë të përbashkët, kanë theksuar se e pranojnë që zgjedhjet e parakohshme duhet të organizohen në përputhje me kërkesat ligjore, sipas afatit të caktuar nga presidentja Vjosa Osmani. E kanë bërë këtë, pavarësisht faktit që partia kryesore e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, ka refuzuar të marrë pjesë në zgjedhje.
“Na vjen keq që Lista Serbe nuk e shfrytëzoi të drejtën demokratike për të marrë pjesë në këto zgjedhje”, thuhet në deklaratë. “Presim që autoritetet përkatëse të veprojnë me profesionalizëm. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen e të shmangin dhunën, që mund të pengojë zgjedhjet”.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin-Potokut, janë shpallur për 23 prill, pasi kryetarët e Listës Serbe kanë dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të konvertimit të targave ilegale të automjeteve, të lëshuara nga Serbia.
Zgjedhjet e paralajmëruara më parë, për 18 dhjetor të vitit të kaluar, qenë shtyrë me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.
Pas kësaj dhe pas caktimit të datës së re të zgjedhjeve, afati për paraqitjen e kandidaturave ka skaduar më 22 mars, e Lista Serbe nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në to.