Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

QUINT-i pro mbajtjes së zgjedhjeve në veri më 23 prill, edhe pa Listën Serbe

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë shprehur keqardhje për vendimin e Listës Serbe që të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale që do të mbahen për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës, më 23 prill. Për dallim nga hera e shkuar kur këto shtete patën bërë thirrje për shtyrje zgjedhjesh, tani ambasadat e QUINT-it kanë pranuar se zgjedhjet do të mbahen.

Në një deklaratë të publikuar të premten, shtetet e QUINT-it kanë thënë se zgjedhjet janë themel i demokracisë dhe se “është thelbësore që të sigurohet që ato të mbahen në mënyrë paqësore dhe të rregullt”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Na vjen keq që Lista Serbe nuk e shfrytëzoi të drejtën demokratike për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Presim që autoritetet përkatëse të veprojnë me profesionalizëm. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen e shmangin dhunën, që mund të pengojë zgjedhjet”, thuhet në deklaratë.

Për vendimin e Listës Serbe, një ditë më parë kryeministri Albin Kurti ka thënë se “kjo është shenjë e kontrollit të Beogradit mbi partinë dhe ndërhyrjes së vazhdueshme në punët e brendshme të Kosovës”, si dhe ka kërkuar që Bashkimi Evropian ta dënojë “shkeljen e shpejtë të Marrëveshjes Themelore”.

Në anën tjetër, Lista Serbe ka thënë se vendimi i saj për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës është “si pasojë e dhunës së vazhdueshme institucionale të ushtruar ndaj popullit serb nga regjimi i Albin Kurtit, duke privuar serbët nga të gjitha të drejtat”.

Komunat veriore janë pa kryetarë që nga dorëheqja e serbëve në nëntor të vitit të shkuar, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për çështjen e targave ilegale.

Zgjedhjet për komunat veriore fillimisht ishte paraparë të mbaheshin në mes të dhjetorit. Atë kohë ato u shtynë për në prill pas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare, në kohën e tensioneve.