Arbëri

Remontet në “Kosova B” e importi, faktorë ndikues në rritjen e çmimit të energjisë

Foto: Driton Paçarada
 

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka miratuar të enjten të hyrat maksimale të lejuara për KESCO-n, në bazë të të cilave rritja e çmimit të energjisë pritet që të jetë 15 për qind. Tarifat e reja do të përcaktohen javën e ardhshme dhe do të hyjnë në fuqi më 1 prill. Kundër rritjes së çmimit të energjisë ka dalë Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, që nëpërmjet një reagimi ka kërkuar nga qytetarët që ta kundërshtojnë rritjen

Remontet e planifikuara gjatë këtij viti në dy njësi të “Kosovës B”, të cilat do të zgjasin nga 90 ditë, janë një prej elementëve që do të ndikojnë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 15 për qind, pasi që në mungesë të prodhimit vendor, KEDS-i dhe KESCO-ja do të obligohen që boshllëkun në furnizim ta mbushin me import.

Çmimi më i lartë i importit, krahasuar me prodhimin vendor, do të ketë efekt në rritjen e kostos së sistemit energjetik për furnizim me energji për konsumatorët, dhe kjo është reflektuar edhe në të hyrat maksimale të lejuara për KESCO-n. Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka miratuar të enjten të hyrat maksimale të lejuara për KESCO-n, të cilat janë në nivel prej rreth 400 milionë eurosh dhe rreth 50 milionë euro shtesë që do t’i paguajnë konsumatorët. Bazuar në raportin preliminar, janë për rreth 5 milionë euro më shumë sesa miratimi.