Disa bordeve u është vështirësuar funksionimi e disa të tjera janë paralizuar tërësisht nga mungesa e anëtarëve. Në Kuvend, tash e disa seanca në rend dite janë edhe përzgjedhja e anëtarëve të bordeve të ndryshme, por nuk po bëhet kjo, herë për mungesë të kuorumit e herë për shkak të grumbullimit të pikave të rendit të ditës nga seancat e kaluara. Si pasojë, disa institucione janë duke pësuar edhe financiarisht
Mostrajtimi me kohë i pikave të rendit të ditës në Kuvend ka bërë që shumë borde të institucioneve të mbesin të pakompletuara. Kjo po rezulton edhe me humbje financiare.
Komisioni i Pavarur i Mediave që prej tetorit të shkuar është në mungesë të tre anëtarëve.
Anëtari i bordit, Besnik Berisha, thotë se përveç që janë mbledhur disa lëndë, të cilat nuk po kanë mundësinë të shqyrtohen, me përbërjen aktuale bordi e ka të pamundur të zgjedhë kryetarin e nënkryetarin.
“Mungesa e kryetarit dhe nënkryetarit, sipas interpretimit të zyrës sonë ligjore, e pamundëson mbajtjen e mbledhjeve normale në të cilat do të merreshin vendime për licencime të reja”, ka thënë anëtari i Bordit të KPMS-së Besnik Berisha.
E tërësisht pa bord funksional është Fondi i Kursimeve Pensionale.
Anëtarëve të Trustit u ka skaduar mandati më 30 nëntor të vitit të kaluar dhe për 90 ditë të tjera sa lejohet me ligj t’u zgjatet mandati, Kuvendi nuk ka përzgjedhur anëtarët e rinj.
“Vështirësia kryesore është pamundësia e institucionit për të marrë çfarëdo vendimi rreth mjeteve pensionale në menaxhim për investime. Pra, prej 1 marsit 2023 nuk mund të ndryshohet gjendja e investimeve: as të shtohen investime të reja, as të tërhiqen investimet ekzistuese dhe as të kalohen investimet nga një fond investues, në një tjetër. Kjo vlen edhe për investimet në Kosovë”, thuhet nga Fondi i Kursimeve Pensionale.
Në rend dite qenë disa seanca me radhë, Kuvendi e ka edhe përzgjedhjen e një anëtari të bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, një anëtari të bordit për ankesa të mediave e dy anëtarëve të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
Përzgjedhja e tyre është shtyrë shkaku i grumbullimit të pikave të rendit të ditës dhe nga mungesa e vazhdueshme e kuorumit.
Se si do të veprojë kryeparlamentari për t’i përfunduar pikat e grumbulluara nga seancat dhe për ta përshpejtuar procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve, nuk janë përgjigjur nga zyra e tij.
Opozita ia ka hedhur përgjegjësinë pushtetit për mosmenaxhimin e duhur të agjendës legjislative e seancave.
“Kjo është përgjegjësi e qeverisjes Kurti. Këta as vetë nuk e kanë kuorumin që t’i kalojnë pikat... Përveç se nuk po bëjnë asgjë në qeverisjen në ekzekutiv, kanë ngecje edhe në Kuvend”, ka thënë deputetja e LDK-së Rrezarta Kransiqi.
E shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, partisë në pushtet, Mimoza Kusari, ka thënë se janë duke u munduar në maksimum për përmbylljen e të gjitha pikave. E përgjegjësinë përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve, ajo e ka ndarë me opozitën.
Përpjekjet e tilla të Kusarit për t’i mbledhur deputetët e shumicës janë pothuajse të përhershme në seanca.
KOHA ka dërguar pyetje në Lëvizjen Vetëvendosje për vështirësitë që ka grupi parlamentar për t’u mbledhur në seancë dhe se si do të menaxhohet tutje kjo situatë, por nuk kanë kthyer përgjigje.
Vetëm të mërkurën në rend dite ishin 24 pika të papërfunduara nga seancat e kaluara.