Arbëri

PSD-ja me aksion: “Albin Zajednica”

Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion në Prishtinë, duke kundërshtuar themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Nga sheshi “Zahir Pajaziti”, PSD-ja vendosi mbishkrimin “Albin Zajednica”, ndërsa në një komunikatë për media, partia joparlamentare tha se sa ishin në Lëvizjen Vetëvendosje, të gjithë e kundërshtonin Asociacionin “përveç Kurtit siç duket”.

“Asociacioni që paraqet ndarje etnike është në vetvete i dëmshëm, por Kurtit i duhej patjetër një fjalë serbe. Kjo sepse Kurtit nuk i interesonin dëmet e Asociacionit, por çfarë mund të përfitojë përmes sulmit që i bëhet kundërshtarëve politik. Kështu, Asociacioni u pagëzua ‘Zajdenicë’. ‘Zajednica’ është momenti kur Kurti shkëputet prej të vërtetës. Është vegla mohuese e pushtetit si qëllim në vetvete. Sot që Asociacionin po pret ta zbatojë vetë, e kemi një tjetër akrobacion gjuhësor: Asociacioni është vetëmenaxhim”, thuhet në njoftim.

PSD-ja tha se “Zajednica” po bëhet mbiemri i kryeministrit Kurti.