Arbëri

Konsiderohet dobët i formuluar aneksi i zbatimit të Planit evropian

Bashkimi Evropian ka publikuar përmbajtjen e aneksit të zbatimit të Marrëveshjes për normalizim raportesh në mes të Kosovës dhe Serbisë. Aty thuhet se dy vendet angazhohen plotësisht për të respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes e po ashtu të zbatojnë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja dhe aneksi, në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim. E për profesorin e shkencave politike, Dritoro Arifi, aneksi i zbatimit të planit evropian është shumë dobët i formuluar.

Afate konkrete për zbatimin e Planit franko-gjerman përmenden në aneksin e Marrëveshjes Bazë, për të cilët palët u pajtuan pas negociatave 12-orëshe.

30 ditë i janë lënë për themelimin e ekipit të përbashkët që do ta mbikëqyrë zbatimin e Marrëveshjes.

Afati tjetër që përmendet aty është që brenda 150 ditëve, Bashkimi Evropian duhet ta organizojë një konferencë donatorësh nga e cila mund të përfitojnë Kosova dhe Serbia “për zhvillimin ekonomik, konektivitetin, transicionin e gjelbër dhe fushat e tjera kyç”.

Sidoqoftë, sipas pikës 7 të aneksit, përfitimi nga kjo konferencë kushtëzohet nga zbatimi i planit evropian.

“Për ta zbatuar nenin 9, BE-ja do të organizojë konferencë të donatorëve brenda 150 ditësh për të krijuar një paketë të investimeve dhe financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë disbursim nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht”, thuhet në pikën 7 të Aneksit në Ohër.

Terminologji e urgjencës në aneks është përdorur në pikat 4 e 5.

“Palët bien dakord që të miratojnë si çështje urgjente Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në pikën 4.

“Për ta zbatuar nenin 7, Kosova fillon menjëherë negociatat brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të krijuar aranzhime dhe garanci specifike për të siguruar nivel të përshtatshëm të vetë menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, siç përcaktohet nga BE-ja lehtësuese”, thuhet në pikën 5.

Pikat e tjera përcaktojnë se zbatimi i planit franko-gjerman do të jetë kusht i anëtarësimit të të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.

Profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi ka thënë se aneksi i zbatimit të Planit evropian është shumë dobët i formuluar.

Sipas tij, problem mbetet neni 10, që duhet të zbatohen edhe marrëveshjet e kaluara, e që për këtë ai tha se është keq për vendin.

“Nuk ka shumë afate, ka shumë obligime për Kosovën, shumë pak për Serbinë dhe në një formë nuk është se zgjidhet ndonjë çështje madhore, është një marrëveshje e përkohshme, më shumë për t’i kthyer serbët e veriut në institucione. Edhe Kosova nuk e di sa e ka kuptuar çka ka nënshkruar apo për çfarë janë dakorduar, pasi ata janë pajtuar që edhe neni i 10-të i marrëveshjes, që thotë se të gjitha marrëveshjet e kaluara palët marrin obligim t’i zbatojnë, që i bie edhe marrëveshjet e 2013-s dhe marrëveshjen e parimeve të 2015-s, duhet të zbatohen”, ka thënë Arifi.

Ndërkaq, në pikën 12 Kosova dhe Serbia paralajmërohen për pasojat që mund të kenë në rast të moszbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Ndonëse nuk është nënshkruar nga palët, BE-ja e konsideron këtë marrëveshje, pasi kusht e konsideron pajtimin e palëve për të.