Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti brenda më pak se tre javësh ka pranuar “gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte”.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, pas dakordimit të së shtunës midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për planin e zbatimit të marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, Krasniqi e ka akuzuar Kurtin për mashtrime të panumërta.
“Por, përtej mashtrimeve të tij, brenga ynë mbetet Kosova, qytetarët tanë dhe brezat e ardhshëm, të cilët, fatkeqësisht, përveç që e kanë humbur besimin në perspektivën që ofron Kosova, do ta trashëgojnë për vite me radhe konfliktin e ngrirë me Serbinë. Dhe kjo është pasojë direkte e gabimeve të Albin Kurtit që ka negociuar dhe mundësuar këtë marrëveshje që është e pamjaftueshme për Kosovën dhe që nuk i arrin qëllimet tona shtetërore e qytetare”, ka shkruar ai.
Lideri i partisë më të madhe opozitare ka thënë se marrëveshja pa njohje reciproke, “e përqendruar në një asociacion të avancuar e autonomi politike për komunitetin serb dhe pa garanci për integrimin euro-atlantik të Kosovës është dështim i madh politik e kombëtar, të cilin do ta paguajmë shtrenjtë dhe gjatë, të gjithë”.
Josep Borrell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian, ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për implementimin e propozimit evropian për normalizim raportesh.
Pas takimit në Ohër, ai ka thënë se dy shtetet janë dakorduar për t’i respektuar të gjitha pikat dhe se do t’i implementojnë të gjithat.