Arbëri

Ka marrëveshje, s’ka nënshkrim

takimi i Ohrit

Pas 12 orë negociatash mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, ka kumtuar se Marrëveshja dhe Aneksi për zbatimin e saj konsiderohen të aprovuara, bazuar në deklaratën e tij. Kurti ishte i gatshëm të vinte firmë mbi të, por Vuçiq refuzoi. Por Borrelli e bëri të qartë se Marrëveshja dhe Aneksi i implementimit do të bëhen pjesë integrale të procesit të anëtarësimit në BE, për Serbinë e Kosovën. Dokumenti liston edhe pasojat në rast se ndonjëra palë s’u përmbahet zotimeve

Marrëveshje mbi Aneksin e implementimit të Planit evropian për dialogun, por pa nënshkrim të palëve, është epilogu i negociatave maratonike mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të zhvilluara të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Pas diskutimeve 12-orëshe, të shoqëruara me pauza të gjata, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka dhënë një deklaratë për media, pa u lejuar mundësinë gazetarëve që të parashtrojnë edhe pyetje. Ai ka thënë se “Marrëveshja dhe Aneksi mes Kosovës dhe Serbisë konsiderohen të aprovuara bazuar në deklaratën time, e cila do të publikohet”.

Disa minuta më pas, zyra e Borrellit publikoi deklaratën dhe Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes.

Por njësoj si në takimin e 27 shkurtit, munguan nënshkrimet mbi dokumente, pavarësisht se kryeministri Kurti shprehu gatishmëri ta vërë firmën.

Palët dhanë interpretime të ndryshme përkitazi me nenin e shtatë të Planit evropian, për të cilin Borrell theksoi se duhet të nisë menjëherë të zbatohet. Kryeministri Kurti tha se neni flet për “vetëmenaxhim” të komunitetit serb dhe që nuk del përtej kornizës ligjore e kushtetuese të Kosovës, por për presidentin serb, Vuçiq, kjo nënkupton ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Negociatat e nisura në Ohër me takime fillimisht bilaterale me Kurtin e Vuçiqin, Borrelli i ka përshkruar si të vështira, teksa ka përmendur çështjet për të cilat do të vijojnë diskutimet javën në vijim. Me këtë i është referuar nenit shtatë të dokumentit të BE-së, i cili përcakton aranzhimet specifike, “për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.

“Për nenin 7, Kosova është pajtuar që të fillojë menjëherë dhe kur them menjëherë, them menjëherë, negocimin për t’i vendosur aranzhimet dhe përgatitje për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb”, ka thënë Borrell para mediave, pasi në orët e vona deklaroi marrëveshjen mes palëve.

Kjo është specifikuar edhe në Udhërrëfyesin e zbatimit.

“Për ta implementuar nenin 7, Kosova fillon menjëherë negociatat brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të krijuar aranzhime dhe garanci specifike për të siguruar nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, siç përcaktohet nga BE-ja si lehtësuese”, shkruan në pikën 5 të Udhërrëfyesit.

Për këtë çështje, palët janë dakorduar në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.

“Të dyja palët përkushtohen për arritjen e aranzhimeve specifike, në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhim për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë për provizione të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë edhe mundësinë e asistencës financiare nga Serbia dhe kanale të komunikimit direkt të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës”, thotë neni më i përfolur i Planit evropian.

Ai po ashtu i referohet edhe statusit të Kishës Ortodokse Serbe.

“Palët do të formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe të ofrojnë nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”, theksohet në të.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së ka zbuluar se fillimisht propozoi një aneks më ambicioz e të detajuar, por që nuk pati pajtim mes Kosovës e Serbisë. Për këtë, fajin e ka shpërndarë tek të dyja palët.

“Për fat të keq palët nuk arritën marrëveshje në këtë propozim të detajuar”, ka thënë Borrell. “Kjo ishte në njërën anë pasi mendoj se një palë, Kosova, ka mungesë fleksibiliteti në substancë, në anën tjetër, Serbia në të kaluarën tha se nuk do të nënshkruajë, ndonëse ishte plotësisht gati ta implementojë. Për t’i evituar këto rrethana, ne bëmë një numër të propozimeve kreative, si për nënshkrim e substancë, por palët nuk ishin në gjendje të gjenin një zgjidhje të pranueshme. Aneksi i Marrëveshjes konsiderohet i aprovuar nëpërmjet deklaratës sime që publikohet”.

Karota dhe kërbaçi

Borrell ka përmendur edhe çështjen e të pagjeturve, temë kjo e ricikluar edhe në negociatat e mëhershme.

“Palët kanë mbështetur ‘deklaratën për personat e zhdukur’, ashtu siç është negociuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si çështje urgjente”, është shprehur ai.

Image

Mbështetur në Udhërrëfyes, palët kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i implementimit do të bëhet pjesë kyçe e proceseve të tyre të anëtarësimit në BE.

“Palët marrin shënim se menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, lehtësuesja, BE-ja, do të nisë procesin për të amendamentuar kapitullin 35 për Serbinë për t’i pasqyruar detyrimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks. Agjenda e grupit special të Kosovës për normalizim po ashtu do t’i reflektojë obligimet e reja të Kosovës që burojnë nga Marrëveshja dhe Aneksi”, thuhet në Aneks.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së ka folur edhe për ndihmën financiare për Kosovën e Serbinë, nëse tregohen konstruktive në zbatimin e Planit.

Si “karotë” është përmendur një konferencë e donatorëve që planifikohet të mbahet brenda pesë muajsh. Por, mjetet e zotuara në të palët nuk do të mund t’i gëzojnë, pa e zbatuar në tërësi Planin.

Dokumenti ua rikujton palëve edhe “kërbaçin”.

“Kosova dhe Serbia pajtohen se çdo mosrespektim i obligimeve nga Marrëveshja, Aneksi apo marrëveshjet e kaluara të dialogut mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta negative për procesin e tyre përkatës të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja”, thuhet në Udhërrëfyesin e dakorduar.

Dy interpretime

Borrell u deklarua, pasi paraprakisht para gazetarëve doli presidenti serb, Vuçiq. E, kryeministri Kurti foli më së gjati dhe i fundit nga të tretë.

Kurti deklaroi se u arrit pajtim publik për një aneks që udhëzon zbatimin e Marrëveshjes, teksa akuzoi Serbinë se i iku sërish nënshkrimit.

“Erdhëm në Ohër për ta nënshkruar Marrëveshjen bazë me Aneksin e zbatimit. Kemi arritur pajtim publik për një aneks që do të udhëzojë zbatimin e Marrëveshjes bazë. Pala tjetër, njëjtë si në takimin e kaluar në Bruksel më 27 shkurt, po i ik nënshkrimit. Tash edhe me aneks. I takon BE-së të gjejë mekanizmin të bëjë statusin e kësaj Marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme”, ka theksuar Kurti. “Marrëveshja bazë është njohje e ndërsjellë ‘de fakto’ nga ana e Serbisë. Unë besoj që është platformë solide për të ecur përpara, andaj është e pranueshme për ne”.

Image

Kurti ka komentuar edhe nenin 7, për zbatimin e të cilit Borrell tha se do të nisin angazhimet menjëherë.

“Aty thuhet që urgjentisht të angazhohemi për vetëmenxhimin. Nuk është vetëqeverisje. Aty është vetëmenaxhim. Natyrisht që unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe angazhohem për të gjithë shqiptarët dhe pakicat e tjera. Natyrisht që do të udhëhiqemi prej standardeve më të larta në mënyrë që edhe serbët në Kosovë të mos kenë asnjë cenim, asnjë diskriminim, duke mos harruar që propozimi i Ahtisaarit u ka krijuar hapësirë e mundësi tejet të mëdha që t’i gëzojnë të drejtat e t’i plotësojnë nevojat e tyre”, ka theksuar Kurti.

Ai ka thënë se nuk e mohon që paraardhësit e tij kanë nënshkruar marrëveshje më 2013 dhe 2015, të cilat i referohen edhe Asociacionit.

Kurti ka folur edhe për formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, duke thënë se është i hapur për bashkëbisedim me krerët e saj, por jo edhe me Vuçiqin.

“As s’është presidenti i Serbisë patriark e as patriarku i Kishës Ortodokse Serbe nuk është president. Duke pasur parasysh se Serbia është shtet sekular, konsideroj se do të duhej direkt Qeveria, unë si kryeministër, ministri i Kulturës që e ka trashëgiminë kulturore dhe çështjen e lirisë fetare në portofolin e tij dhe për zemër si një çështje, do të duhej të angazhohemi drejtpërsëdrejti me udhëheqësit, priftërinjtë e lartë të Kishës Ortodokse Serbe sepse jemi të interesuar që askujt të mos i cenohen të drejtat. Kemi ligj për liritë fetare dhe të trashëguar për zonat e veçanta dhe atë për zonën historike të Prizrenit”, ka thënë Kurti.

Por, interpretim ndryshe për pikën 7 ka dhënë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, teksa ka përmendur edhe afatet. Sipas tij, ai nënkupton Asociacion të komunave me shumicë serbe.

Presidenti serb ka thënë se fillimisht do të krijohet një komision i përbashkët monitorimi, që do të raportohet pas 30 ditësh, e që, sipas tij, do të nisë punën për themelimin e Asociacionit.

“Nuk mund të zgjedhësh atë që pëlqen dhe të marrësh atë që të pëlqen. Është dokument i nënshkruar. Ju e keni nënshkruar. Mu për këtë ju duhet ta realizoni. Është një rregull shumë konkret”, ka thënë Vuçiq.

Image

Sipas tij, tek pas kësaj, palët do të mund të flasin për të pagjeturit.

Njësoj si në takimin e 27 shkurtit kur palët u dakorduan në Bruksel me përmbajtjen e Planit evropian për dialogun, Vuçiq ka folur me mburrje edhe në Ohër se asgjë nuk ka nënshkruar.

Dakordimi për Aneksin e zbatimit të Planit evropian është arritur saktësisht në përvjetorin e 24-t të nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë nga delegacioni i Kosovës. Marrëveshja nuk ishte pranuar nga Serbia dhe përcaktimi i saj për të mos i dhënë fund luftës i kushtoi me bombardimin nga NATO-ja dhe me largim nga Kosova. Megjithëkëtë, edhe pas procesit negociator të Vjenës, e edhe pas këtij të Brukselit që ka filluar më shumë se një dekadë më parë, Serbia refuzon t’ia njohë shtetësinë Kosovës. Megjithëkëtë, me Planin evropian ka pranuar të mos e pengojë Kosovën në rrugën e anëtarësimit në secilën organizatë ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti ka përsëritur edhe të shtunën se kjo nënkupton njohjen “de fakto” nga Serbia.

Escobar: Marrëveshje e vështirë, por e nevojshme

Krahas zyrtarëve të Bashkimit Evropianë, prezentë në Ohër ka qenë edhe emisari i Departamentit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, i cili marrëveshjen e ka kualifikuar të vështirë, por të nevojshme.

“E vlerësoj punën e kolegëve tanë evropianë që kanë arritur këtë moment vizionar. Do të bëjmë gjithçka që mundemi që të ofrojmë mbështetje politike, ekonomike në mënyrë që ta arrijmë paqen në rajon”, ka theksuar Escobar.