Kryetari i Komisionit Ad-hoc për zhvillimin e procesit të vlerësimit kalimtar, Kujtim Shala, në mbledhjen e mbajtur të premten ka njoftuar anëtarët e Komisionit, se pas pranimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese të drafamendamenteve kushtetuese për vettingun, Gjykata ka kërkuar nga Kuvendi që deri më 22 mars 2023 t’i dërgohen edhe disa dokumente të punës së Komisionit ad-hoc.
“Më 7 mars 2023 Gjykata Kushtetuese ka kërkuar nga sekretaria e Kuvendit që deri më datën 22 mars 2023 të dërgojë dokumentacionin përkatës të punës së Komisionit ad-hoc që ndërlidhet me punën e amendamenteve të propozuara. Duke iu referuar kësaj kërkese të Gjykatës Kushtetuese iu njoftoj se pas mbylljes së kësaj mbledhje sekretaria e Kuvendit do t’i dërgojë dosjen me këto dokumente: Procesverbalin e mbledhjes së komisionit 20 dhjetor 2022 transkripti i mbledhjes së datës 20 dhjetor 2022, procesverbali i mbledhjes 27 dhjetor 2022, transkripti i Komisionit të datës 27 dhjetor 2022”, ka theksuar Shala.
Amendamentet kushtetuese për procesin e vettingut janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese më 2 mars, nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Kushtetuesja pritet të vlerësojë nëse ato janë në përputhje me Kushtetutën.
Në mbledhjen e mbajtur të premten, Komisioni ka formuar edhe grupin punues për Projektligjin për kontrollin e integritetit të pozitave të caktuara në sistemin e drejtësisë.
Komisionit ad-hoc për vettingun në sistem të drejtësisë u dakorduan që grupi punues të ketë përbërjen e njëjtë me atë të grupit punues për analizimin e amendamenteve kushtetuese.
Kryetari i këtij Komisioni, Kujtim Shala, ka theksuar se më 3 mars 2023 Ministria e Drejtësisë iu kanë dorëzuar këtë projektligj të harmonizuar edhe me draftamendamentet kushtetuese por edhe me vlerësimet e Venecias.
Ai ka deklaruar se grupi punues do të analizojë se Projektligjin dhe do ta vlerësojë nëse është draft i konsoliduar për t’u proceduar më tutje.
“Më 3 mars 2023 grupi punuesi i Ministrisë së Drejtësisë i ka dorëzuar Kuvendit projektligjin e harmonizuar me draft amendamentet kushtetuese të miratuara nga Komisioni ad-hoc dhe në përputhshmëri me opinionin e Komisionit të Venecias. Në bazë të panit të punës së Komisionit ne sot do të formojmë në grup të punës për të shqyrtuar dhe vlerësuar nëse mund të merret si draft i konsoliduar pra drafti i këtij projektligji për të proceduar më tej sipas procedurave të përcaktuara sipas rregullores së Kuvendit të Kosovës”, ka thënë ai.
Në këtë mbledhje deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se ekziston mundësia që të kërkohet shtyrja e mandatit të Komisionit ad-hoc për vettingun në sistemin e drejtësisë.
Ai ka theksuar se e gjitha puna e këtij Komisioni varet edhe nga përgjigja e Gjykatës Kushtetuese.
“Ne jemi të varur nga kthimi i përgjigjes nga Gjykata Kushtetuese nuk mendoj unë të paktën se si Komisionin mund ta përmbyllim formalisht punën për sa kohë nuk e kemi vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese për draft-amendamentet e dorëzuar. Nuk mund ta përmbyllim as procesin e hartimit të projektligjit për sa kohë nuk e kemi përgjigjen nga Gjykata Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese mund të bëjë konstatime të veta dhe mbase mund të detyrohemi të punojmë përsëri në draftamendemente, mandati kohor i këtij komisioni varet shumë nga përgjigja e Gjykatës Kushtetuese…mund të vije situata ose nevoja që me kërkuar nga seanca vazhdim të periudhës së angazhimit të këtij Komisioni për ta përmbyllur komplet punën”, ka deklaruar Rrustemi. /KP