Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, ka deklaruar se vetëm gjatë dy muajve të parë të këtij viti, kjo administratë ka arritur të mbledhë mbi 24 milionë euro më tepër të hyra tatimore se periudha e njëjtë e vitit të kaluar.
I ftuar në emisionin “60 Minuta” në KTV, Murtezaj ka thënë se me këtë shumë i bie që 19.6 për qind ka të hyra më tepër sesa në vitin 2022.
“ATK-ja ka disa vite që po performon jashtëzakonisht mirë. Kishim vitin 2019 kur patëm një rritje të theksuar të të hyrave, pastaj vitin 2020 kur patëm kontributin e jashtëzakonshëm të ATK-së në drejtim të përgjigjes ndaj sfidave që kishim me COVID-19. Më 2021-2022 kishim rritje të hyrave tatimore dhe tani më 2023 po performojmë jashtëzakonisht mirë, ku gjatë këtyre dy muajve të këtij viti kemi arritur të mbledhim diku 150 milionë euro të hyra tatimore, shumë kjo që është mbi 24 milionë euro më tepër se viti paraprak, apo 19.6 për qind më tepër se viti i kaluar”, ka thënë ai.
Ai më tej bëri të ditur se ka gjithashtu një rritje të numrit të tatimpaguesve për rreth 10 për qind.
“Janë një mori faktorësh që kanë ndikuar në rritjen e të hyrave të ATK-së, por që ato më evidente janë aktivitetet e shtuara të ATK-së. Kemi rritje të numrit të tatimpaguesve rreth 10 për qind. Kemi edhe rritje të inkasimit të borxheve tatimore që vjen si rezultat i një reforme të theksuar që kemi bërë në ATK, që jemi vlerësuar edhe nga institucionet ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Murtezaj ka deklaruar se borxhi aktual i tatimeve nga ekonomitë familjare dhe bizneset është rreth 470 milionë euro.
“Fenomeni i borxhit është një fenomen që ka një trashëgimi të gjatë brenda institucionit dhe në këtë rast kemi borxhe të akumuluara ndër vite. Kemi rritur efikasitetin për mbledhjen e borxheve. Aktualisht kemi diku 470 milionë euro borxhe tatimore që një pjesë e konsiderueshme e tyre janë borxhe të vjetra”, është shprehur ai.
Murtezaj: Pas aksioneve të ATK-së në restorante e diskoteka, këngëtarët kanë dyfishuar deklarimet e të hyrave
Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka thënë se pas aksioneve të zhvilluara vitin e kaluar me qëllim identifikimin e shmangies tatimore të sektori i gastronimisë, ka rezultuar me dyfishim të të hyrave nga këngëtarët dhe grupet muzikore në vend.
Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Murtezaj ka deklaruar se nga 10 milionë euro të hyra në vitin 2021 nga ky komunitet, ato janë rritur në mbi 20 milionë në vitin 2022.
“Vitin e kaluar kemi zhvilluar një mori aktivitetesh në identifikimin e shmangies tatimore te sektori i gastronomisë, duke përfshirë këngëtarë, grupe muzikore, restorante, diskoteka e të gjitha këto. Kemi mbledhur informata të shumta e kemi bërë inspektime të ndryshe në këtë sektor, duke grumbulluar të dhëna dhe duke i bërë thirrje vazhdimisht që të deklarojnë dhe paguajnë tatimet në përputhje me të hyrat që kanë realizuar. Kemi ardhur në rezultat që kemi dyfishim të të hyrave nga ky komunitet, të këngëtarëve dhe grupeve muzikore, nga 10 milionë euro që ishte më 2021, diku mbi 20 milionë euro në vitin 2022”, ka thënë ai.
Murtezaj më tej ka thënë se ATK-ja bashkë me institucionet tjera ligjzbatuese, si policia, prokuroria e gjykatat, punojnë që sa më shumë të mbyllen “vrimat ku mund të prodhohet invazioni fiskal.
Derisa ka përmendur stafin e inspektorëve dhe shërbyesit civilë, ai ka thënë se aktualisht janë 780, por për shkak të individëve që do të dalin në pension këto kohë, mund të mbesin rreth 763, numër ky për të cilin ai ka thënë se është i vogël.
“Stafi i inspektorëve realisht është njëra prej sfidave sepse dihet që kemi shtuar shumë aktivitete të inspektimeve dhe në anën tjetër për shkak të moshës së stafit po tkurremi, meqë shumë prej tyre po dalin në pension. Në anën tjetër, nuk ka mundësi juridike ende të krijuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka obligim ligjor që t’i krijojë kushtet për rekrutim të stafit të ri dhe shërbyes civilë. Aktualisht jemi 780 dhe mund të mbesin diku 763”, ka thënë ai.