Arbëri

Kurti shpreson për nënshkrime në Ohër

Kryeministri Albin Kurti ka shprehur shpresë që më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë planin e zbatimit për propozimin evropian për normalizim të raporteve mes dy shteteve.

Në një deklaratë për “Euronews”, Kurti ka thënë se Kosova duhet t’i normalizojë raportet me Serbinë.

“Supozohej të nënshkruanim marrëveshje më 28 shkurt. Fatkeqësisht, presidenti i Serbisë nuk donte dhe në fund të kësaj, ky traktat bazë që është propozuar nga 27 vendet e BE-së, është bazë solide për të lëvizur përpara dhe shpresojmë që ta arrijmë në fund më 18 mars”, ka thënë Kurti.

Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia u pajtuan për përmbajtjen e planit evropian, sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian. Diskutimet janë duke vazhduar për planin e zbatimit. Emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka qëndruar për vizitë në Kosovë për këtë qëllim. Ka thënë se i janë përmbushur pritshmëritë për atë se si Kosova e sheh planin e zbatimit.

Krerët e shteteve do të takohen më 18 mars në Ohër për diskutime të mëtejme.

Kurti ka thënë se do të shkojë në Maqedoninë e Veriut me mirëbesim e me vullnet të mirë, me qëllim kryesor siç thotë ai, të normalizohen marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova është një vend normal, por nuk ka marrëdhënie normale me Serbinë. Në këto dy vjetet e fundit kemi pasur një progres të paprecedentë ekonomik dhe demokratik në vendin tonë, gjë që na vendos në drejtim të sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut dhe rritjes në krye të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, unë e pranoj se ne duhet të normalizojmë marrëdhëniet dhe për këtë qëllim, ky traktat bazë që është propozuar nga BE-ja, është një terren i fortë për të ecur përpara dhe shpresojmë ta arrijmë përfundimisht në 18 mars”, ka thënë ai.

Për çështjen e Asociacionit, kreu i ekzekutivit ka përsëritur se “zgjidhjet mono-etnike nuk janë të mundura për shkak të ligjeve tona demokratike”.

Për nenin 7 të Planit evropian, ku përmendet vetëmenaxhimi i komunave serbe në Kosovë, Kurti ka thënë se e sheh këtë si vetëmenaxhim në kushtet e funksionalitetit të plotë, jo në aspektin e një pozicioni territorial.

Tutje, Kurti ka thënë se ka shenja pozitive që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.