Ragmi Mustafi nga Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, ka thënë se gjatë takimeve të fundit që disa zyrtarë nga Lugina kanë zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë marrë garanci që SHBA-ja do ta mbështesë çështjen e shqiptarëve të kësaj pjese.
Në një intervistë të enjten për “Interaktivin” e KTV-së, Mustafi ka thënë se në këto takime të hapura, kanë kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara që çështja e Luginës së Preshevës të marrë epilogun e duhur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi dhe të jetë ekuivalente në reciprocitetin, përkatësisht kornizën ligjore që mund t’i akordojë të drejta të caktuara komunitetit serb në Kosovë, po e njëjta të jetë e vlefshme edhe për komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës.
“Prezantuam gjendjen e vështirë, diskriminuese nga Serbia ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës duke kërkuar që të shihet zgjidhje dhe epilogu i saj në kuadër të zhvillimeve rajonale. Besoj se ka qenë ndër vizitat më produktive”, është shprehur ai.
Mustafi ka konsideruar se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë kanë përparuar shumë, ndërsa sipas tij marrëveshja franko-gjermane duhet të jetë gjithëpërfshirëse.
“Në atë që është publikuar deri më tani nuk është përmendur në mënyrë eksplicite Lugina e Preshevës, megjithatë ne kemi marrë mbështetjen e fuqishme nga Uashingtoni, kemi mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, e cila, kryeministri vetë në disa raste ka përmendur madje edhe në kushtet që ka vendosur ka treguar për simetrinë dhe reciprocitetin që do të duhej të jetë për trajtimin e komuniteteve. Konsiderojmë që do të duhej të ketë standarde unike të trajtimit të pakicave në Ballkanin Perëndimor për të mënjanuar çfarëdo mundësie që mund të nxisë krizë në të ardhmen”, ka thënë Mustafi.
Ai ka vlerësuar se sjellja e zyrtarëve serbë pas takimit me kryeministrin Albin Kurti në Bruksel, është e çuditshme.
“E çuditshme sjellja e zyrtarëve serbë pas takimit që kishin me kryeministrin Kurti dhe pas asaj që u deklarua se ka një dakordim për marrëveshjen franko-gjermane. Serbia ende nuk po shkëputet nga logjika e viteve të '90-a dhe nga ndikimi pro-rus. Po shpresoj që mos të jetë ashtu siç deklarohen para mediave në mënyrë që të arrihet përparimi në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai.