Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, të mërkurën ka kritikuar deputeten e AAK-së, Albena Reshitaj, se ishte futur në sallën e seancave vetëm për t’u nënshkruar dhe kishte dalë nga aty. Ai ka rekomanduar që asaj të mos i deponohet mëditja për seancën e së mërkurës.
Ndërkohë, e revoltuar, Reshitaj është përgjigjur se reagimi i Konjufcës ishte rezultat i mllefit nga mungesa e kuorumit në seancë. Ajo ka thënë se deklarata e tij ka qenë e pahijshme.
“Dje emri im u lakua në media nga një deklaratë aspak e hijshme dhe publike e kryesuesit të kuvendit duke e përmbyllur seancën me një të pavërtetë të thënë për mua. Gjithë mllefin që kishte nga pamundësia për ta bërë funksionale seancën vendosi ta derdhte mbi mua. I nderuar z. Konjufca jam deputete për dy mandate dhe unë vendos politikisht nëse duhet të marr pjesë në seanca ose jo… Nuk e kuptoj këtë instalim të lidhshmërisë se prezenca e deputetit duhet të dokumentohet. Nuk jam unë deputetja e mëditjeve zoti kryesues, as për mëditje as për pagë nuk vije në Kuvend. Jam këtu për popullin për qytetarët dhe për ata që më kanë besuar. Unë nuk marr mëditje, për dy mandate vetëm njëherë jam përkrahur nga Kuvendi për një udhëtim jashtë vendit”, ka thënë Reshitaj.
E, Konjufca ka thënë se “qortimet” e tilla i bën vetëm kur deputetët e teprojnë.
“Ju me njihni mirë dhe e dini mirë që shumë rrallë bëj qortime publike të deputetëve. Ato i bëj vetëm kur ia teprojnë siç bëtë ju dje”.