Arbëri

Shqipëria shpall të dielën ditë zie për viktimat në Greqi

Shqipëria ka shpallur të dielën ditë zie në nderim të viktimave që vdiqën në aksidentin mes dy trenave në Greqi.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka njoftuar se Shqipëria i qëndron afër Greqisë në këto momente, duke ulur flamurin kombëtar në gjysmë shtize.

“Tragjedia e Greqisë është edhe tragjedia jonë, dhimbja për jetët e humbura në aksidentin e tmerrshëm është edhe jona dhe ky është një nga ato momente jetësore, kur një humbje e madhe te fqinji të tregon më shumë se sa njëqind gëzime që jetët tona janë të ndërlidhura pazgjidhshmërisht, e se duhet të bëjmë çmos që t’i bëjmë ato sa më të mira, duke bashkëpunuar gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin. Ditën e diel Shqipëria do të nderojë me një ditë zie viktimat e tragjedisë, duke u bashkuar simbolikisht me Greqinë mike me flamurin kombëtar të ulur në gjysmë shtize”, ka shkruar Rama në Facebook.

 

Numri i të vdekurve nga aksidenti i dy trenave që ndodhi në Larissa të Greqisë në orët e vona të së martës është rritur në 57.

Aksidenti ka ndodhur mes një treni të pasagjerëve dhe një të mallrave.

Ndërkohë “Top Channel” sipas informatave jozyrtare ka thënë se në mesin e viktimave janë tre shtetas shqiptarë. Po ashtu është thënë se në mesin e 57 të lënduarve janë edhe gjashtë shqiptarë në gjendje të rëndë.