Arbëri

Adresohet kushti për rikthimin e Agjencisë së Akreditimit në ENQA dhe EQAR

 

Projektligji, miratimi i të cilit është një nga kushtet për rikthimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare për arsim, të enjten ka arritur të kalojë në Komisionin për Arsim, vendimmarrje që pati dështuar për disa herë radhazi si shkak i mungesës së kuorumit. Por disa nga rekomandimet e kryetarit të komisionit, Ardian Golës, u kritikuan nga ORCA, e cila i kundërshtoi përmes një aksioni simbolik para Kuvendit. Veprimet e ORCA-s i kualifikoi kërcënuese deputeti Gola

Komisioni për Arsim ka arritur të enjten të dërgojë për shqyrtim dhe miratim në seancë plenare projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA), i cili është përcaktues në rikthimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare për arsim, siç janë: Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) dhe Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA). Kjo vendimmarrje pati dështuar disa herë, në mungesë kuorumi.
Por disa nga rekomandimet e kryetarit të komisionit, Ardian Gola, për AKA-në i ka kritikuar aktivistë të Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA, përmes një aksioni simbolik para Kuvendit. Ata vendosën një kali nga kartoni, i cili sipas tyre, simbolizon “kalin e Trojës në cilësinë e arsimit”.

Sipas hulumtuesit në ORCA, Dibran Hoxha, deputeti Gola me propozimin që standardet e akreditimit të përcaktohen përmes udhëzimeve administrative, është duke tentuar ta degjenerojë ligjin duke ia hequr kompetencat Agjencisë në përcaktimin e kritereve.