Arbëri

Konstruktiviteti i palëve “transformoi” dialogun

Albin Kurti – Aleksandar Vuçiq – Dialogu Kosovë-Serbi – Josep Borrell – Miroslav Lajçak

Shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szyunog, ka deklaruar të premten se presin që Kosova e Serbia të tregohen konstruktive në takimin e së hënës në Bruksel, ku do të diskutohet rreth planit të BE-së. Por zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili me Szyunogun nënshkroi marrëveshjen për “Programin IPA 2023”, ka refuzuar të komentojë rreth takimit. Njohës të rrethanave thonë se plani mbi bazën e të cilit do të diskutohet në takimin e së hënës e ka transformuar dialogun e nisur në vitin 2011, duke zgjeruar komponentët e marrëveshjes përmes të cilave synohet normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve

Kosova e Serbia janë inkurajuar të arrijnë pajtim rreth propozimit që u është prezantuar duke u joshur edhe me përshpejtim të rrugës drejt avancimit në Bashkimin Evropian.

Shefi i zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjes mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqi mbi bazën e dokumentit që do ta kenë në tryezë të hënën në Bruksel, ka rëndësi të madhe në rrugën drejt integrimit evropian.

“Ajo që është e nevojshme të thuhet, është thënë nga Lajçaku. Është e qartë se presim që të dyja palët të pranojnë propozimin evropian dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive gjatë negociatave se si të zbatohet ajo. Është e qartë se ne kemi besuar që për të dyja palët marrëveshja e dialogut është shumë e rëndësishme për integrimin evropian”, ka thënë Szyunog.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Bislimi, i cili me Szyunogun nënshkroi të premten marrëveshjen për “Programin IPA 2023”, ka refuzuar të komentojë rreth takimit.

“Pyetja e parë fillon ‘me të hënën në Bruksel’. Mendoj se është disrespekt për gjithë këtë punë dhe këtë program prej të cilit përfitojnë qytetarët. Po më duket pak e padenjë të përgjigjem për pyetjen që e keni për momentin”, ka theksuar Bislimi.

Shtytje palëve që të dakordohen rreth planit evropian u kanë dhënë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) kanë thënë për “Zërin e Amerikës” se presim që dy liderët t’u qasen takimeve në frymën konstruktive.

“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fund të fundit duhet të synojnë njohjen reciproke. Progresi në dialog do të hapë derën e integrimit evropian dhe është i një rëndësie thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, kanë thënë nga DASH-i.

Kur janë pyetur nëse presin përparim apo edhe një pikë kthese pas rundit të ardhshëm të bisedimeve në Bruksel, Departamenti i Shtetit ka vlerësuar se është inkurajuese që Serbia dhe Kosova e kanë pranuar në parim propozimin e Bashkimit Evropian.

“Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian theksuan mundësitë e propozimit të Bashkimit Evropian dhe theksuan rëndësinë e përparimit të shpejtë – për të shmangur rrezikun e përshkallëzimeve të mëtejshme”, thuhet nga DASH-i.

Hasani: Plani me komponentë të zgjeruar të marrëveshjes

Negociatat e deritashme në Bruksel dhe arritja e disa marrëveshjeve nuk ishin të mjaftueshme për t’u dhënë epilog raporteve mes Kosovës e Serbisë.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka thënë për “KOHËN” se plani aktual e ka transformuar dialogun e nisur në vitin 2011, duke ia zgjeruar komponentët e marrëveshjes përmes të cilëve synohet normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në të gjitha versionet e tij, Plani ka disa komponentë. Në rend të parë, nuk ka njohje të Kosovës. Ajo që shitet si njohje de facto, në fakt nuk është asgjë tjetër pos një sukses kolosal serb për të dëshmuar te vendet mosnjohëse të Kosovës se ajo, pra Serbia, është e detyruar të pranoj një gjendje faktike, si diçka të përkohshme dhe kalimtare, por që nuk prek titullin e saj të sovranitetit juridik-ndërkombëtar kundrejt komunitetit ndërkombëtar. Kjo bën që në Evropë, shtete mosnjohëse të jenë edhe më të rezervuara ndaj njohjes sonë”, ka theksuar Hasani.

“Njohja eventuale nga ndonjëra prej tyre nuk vjen si rezultat i nënshkrimit eventual të Planit, por i konsideratave të tjera gjeopolitike të momentit. Sidoqoftë, Spanja e Qipro nuk ka asnjë gjasë që të jenë në grupin e vendeve njohëse pa pasur një njohje de jure nga Serbia. Njëjtë vlen edhe për vendet tjera gjetiu. Së dyti, Plani parashikon autonomi për serbët e Kosovës, me seli kryesisht në veri, por me shtrirje territoriale në krejt enklavat serbe. Ky nuk është pushtet i tretë por pushtet paralel, konkurrent me pushtetin kushtetues në Prishtinë”.

Sipas Hasanit, kjo komponentë e absorbon çështjen e Asociacionit serb në formën që është nënshkruar në vitin 2013 dhe e sistemon në kuadër të strukturave drejtuese dhe qeverisëse të autonomisë politiko-territoriale të serbëve të Kosovës.

“Kësaj autonomie, pasi të nisë nxjerrja e akteve implementuese të saj, do t’i shtohen edhe gjymtyrët e tjera të funksionit ligjvënës, ekzekutiv-policor dhe gjyqësor. Së treti, Plani përfundimisht krijon një ekstraterritorialitet të Kishës Ortodokse Serbe në tërë territorin e Kosovës, ashtu që prona e saj dhe aktivitetet tjera fitojnë statusin e një subjekti të jashtëm kundrejt pushtetit vendor në Prishtinë, që operon jashtë çdo juridiksioni vendor”, ka deklaruar Hasani.

Marrëveshja bazë mes Kosovës dhe Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, do të diskutojnë të hënën në Bruksel rreth propozimit të BE-së, i cili nuk është bërë ende publik megjithëse kanë qarkulluar disa drafte të tij.

“KOHA” ka pasur qasje në një dokument për të cilin besohet se është teksti i propozuar për “Marrëveshjen bazë mes Kosovës dhe Serbisë”. Ky dokument thuhet se u ishte dorëzuar palëve në muajin gusht të vitit të kaluar. Ndërkohë, zyrtarët e lartë të BE-së kanë thënë se i njëjti propozim është përditësuar dhe tashmë ai është bërë propozim i “të gjitha 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”. Burimet perëndimore i patën thënë “KOHËS” se ky version është pa përditësimet të cilat janë bërë ndërkohë, porse nuk ka pasur ndryshime në pikat dhe idetë kryesore.

“Palët do të zhvillojnë raporte normale, të mira fqinjësore me njëra-tjetrën në bazë të të drejtave të barabarta. Të dyja palët do t’ia njohin njëra-tjetrës dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore”, thotë neni 1 i këtij plani.

Në nenin pasues përcaktohet se të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet të vendosura në Kartën e Kombeve të Bashkuara, posaçërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë së tyre, autonomisë dhe integritetit territorial, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.

“Në pajtueshmëri me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do të zgjidhin secilin mospajtim mes tyre vetëm me mjete paqësore dhe të përmbahen nga kërcënimet apo përdorimi i forcës”, shkruan në pikën 3.

Neni 4 përcakton se palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Kësisoj, Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Përderisa kjo marrëveshje bazë paraqet një hap të rëndësishëm të normalizimit, sipas nenit 6, të dyja palët do të vazhdojnë me një nxitje të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili do të çojë deri tek marrëveshja ligjërisht obliguese, gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.

“Palët pajtohen të thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe konektivitetit, raportet në drejtësi dhe vendosje të ligjit, postë dhe telekomunikim, shëndetësi, kulturë, religjion, sport, ruajtje të mjedisit, persona të pagjetur dhe fusha të tjera të ngjashme përmes arritjes së marrëveshjeve specifike”, shkruan në këtë nen.

Draft-propozimi po ashtu parasheh që palët të shkëmbejnë misionet e përhershme; të themelojnë komisionin e përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes; si dhe të dyja palët konfirmojnë obligimet e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut nga e kaluara.

Sipas Enver Hasanit, në momentin që nënshkruhet Plani, Kosova do të futej në një fazë të re të zhvillimit politik ku vitet e para duhet të krijohet një infrastrukturë juridike jashtëzakonisht e dendur.

“Edhe pse do të ketë emërtime të tjera, në thelb është materie kushtetuese, sepse kornizon një pushtet paralel dhe konkurrent në Kosovë, me kompetenca e autorizime që i merr nga organet ekzistuese qendrore, në të gjitha sferat e jetës dhe punës. Kur të përmbyllet kjo infrastrukturë juridike, do të shihet se si vëllim, ajo do të jetë më e madhe sesa vetë Kushtetuta e Kosovës”, ka thënë ai.

Hasani ka shtuar se nuk sheh asnjë arsye apo shenjë se palët nuk do ta nënshkruajnë Planin. Kurti e ka pranuar planin e ri evropian të mbështetur edhe nga SHBA-ja, si bazë e mirë për vazhdim të dialogut. Faza përmbyllëse e dialogut synohet të kurorëzohet me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Ky është përmendur të jetë kushti kryesor për avancim drejt integrimit në BE, si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë.