Arbëri

Këshilli i Pavarur e konsideron të jashtëligjshme rokadën e MPJD-së në rastin e kryetarit të sindikatës

MPJ

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës e ka kualifikuar si të jashtëligjshëm vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për transferimin e diplomatit, Agron Maloku, në Ministrinë e Shëndetësisë, pa ia dhënë mundësinë e sistemimit përbrenda këtij dikaster. Përderisa në MPJD thonë se vendimi do të shqyrtohet nga Komisioni për Ristrukturim, Maloku thotë se u ballafaqua me një situatë të paprecedentë

Këshill i Pavarur Mbikëqyrës e rrëzoi për herë të dytë vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme lidhur me rastin e ish-udhëheqësit të Departamentit për Financa dhe Shërbime të Përgjithshme, Agron Maloku.

Krahas shfuqizimit të vendimit, Këshilli e detyroi Komisionin për Ristrukturim në MPJD që t’ia mundësojë Malokut sistemimin përbrenda këtij dikasteri.

Me gjithë përvojën, Maloku që në disa raste i pati denoncuar parregullsitë brenda MPJ-së, si udhëheqës i sindikatës ishte transferuar në Ministrinë e Shëndetësisë e pozitën e tij e pati zënë zyrtari i integruar nga Ministria e shuar e Diasporës.

“Komisioni i ristrukturimit, me rastin e shqyrtimit të lëndës së ankuesit, sipas vendimit të Këshillit A. nr. 723/2022, përmes të cilit raport i është propozuar përsëri Departamentit të Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë, ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e ligjit të veçantë, ngase me rastin e transferimit të ankuesit jashtë institucionit në kuadër të të cilit ka themeluar marrëdhënien e punës, të njëjtit i ka humbur edhe statusi i nëpunësit në shërbimin e jashtëm”, thuhet në vendimin e këshillit.

Por Këshilli e hodhi poshtë pretendimin e Malokut për transferim vetëm në një pozitë ekuivalente, teksa ia ka përcaktuar rrethanën kur ai mund të transferohet në një ministri tjetër.

“Në rast se ankuesi mbetet pranë insistimit dhe pretendimit të tij që të transferohet vetëm në pozitë ekuivalente brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pavarësisht që mund të mos i plotësojë kriteret e caktuara, si rrjedhojë në këtë rast plotësohet kushti i dhënë sipas këtij vendimi që Komisioni i Ristrukturimit t’i propozojë Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë që ankuesi të transferohet në një pozitë ekuivalente në ndonjë institucion tjetër në kuadër të Shërbimit Civil të Kosovës”, thuhet në vendim.

Në MPJD thanë se vendimi i Këshillit do të shqyrtohet nga Komisioni përkatës për ristrukturim.

“Ju njoftojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me datë 21 shkurt 2023 ka pranuar vendimin nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimin Civil të Kosovës lidhur me rastin e z. Maloku, shqyrtimi i të cilit vendim mbetet në kompetencë të Komisionit të Ristrukturimit, i themeluar nga MPB/DZMP”, është thënë nga MPJD-ja.

E Maloku thotë se vendimi ishte i pritshëm.

“Kjo për faktin se transferimi ishte në kundërshtim me ligjet. KPMSHCK ka shfuqizuar vendimin për transferim duke sqaruar se Komisioni për risistemim ka vepruar në kundërshtim me ligjet që e rregullojnë shërbimin e jashtëm. Kjo ishte një situatë e paprecedent, pasi që për herë të parë, pas 22 vjetësh përvojë pune, 14 prej tyre në MPJ, u ballafaqova me veprime të kundërligjshme të cilat i shfuqizoi Këshilli”, ka thënë Maloku.

Pas vendimit të Këshillit, ka reaguar edhe Shoqata Sindikale brenda MPJD-së. Sipas tyre, transferimi i kryetarit Maloku është pasojë e fushatës hakmarrëse për shkak të veprimtarisë sindikale dhe për denoncimin e vazhdueshëm të paligjshmërive në MPJD.

“Shoqata Sindikale e konsideron transferimin e kryetarit të Shoqatës z. Agron Maloku si pjesë të fushatës hakmarrëse ndaj tij dhe Shoqatës Sindikale për shkak të veprimtarisë sindikale dhe për denoncimin e vazhdueshëm nga ana e tij dhe Shoqatës Sindikale të kundërligjshmërive në MPJD. Shoqata Sindikale kishte organizuar një protestë paqësore para objektit të MPJD si reagim ndaj një vendimi të tillë kundërligjor dhe kundërligjshmërive tjera në Shërbimin e Jashtëm”, thuhet në reagimin e Shoqatës.

Shoqata Sindikale e vlerëson jashtëzakonisht të rëndësishëm për gjithë pjesëtarët e shërbimit të jashtëm këtë vendim të KPMSHCK-së, i cili i ka njohur statusin e veçantë të nëpunësit diplomatik Agron Maloku, të përcaktuar me nenin 4 të Ligjit për Zyrtarët Publik nr. 06/L-114, gjë që e bënë të kundërligjshëm transferimin e tij në një institucion tjetër. Sipas vendimit të fundit të KPMSHCK-së, nëpunësit e shërbimit të jashtëm trajtohen me ligj të veçantë sa i përket zhvillimit të karrierës, procesit të sistemimit dhe transferimit duke theksuar se Komisioni i Ristrukturimit në MPJD ka vepruar në kundërshtim me këto dispozita”.

Procesi i risistemimit përbrenda MPJD-së është përcjellë me pakënaqësi edhe nga diplomatë të tjerë që, krahas Këshillit, janë denoncuar edhe në Agjencinë Kundër Korrupsionit.