Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka akuzuar Qeverinë Kurti se ka abstenuar nga përgjegjësia që ka ndaj të rinjve. Sipas tij, gjeneratat e reja nuk mund të shpresojnë në të ardhme më të mirë “përderisa pushtetarët strehojnë protagonistë të aferave mafioze”.
Në një shkrim në Facebook të shtunën, Krasniqi ka thënë se pas takimeve të shumta në javën e pavarësisë, takimi me të rinjtë e ka bërë të kuptonte se “pritjet e tyre për një atdhe që i mirëpret të rriten e të realizojnë ëndrrat, janë ato që me të vërtetë kanë rëndësi”.
“Ndonëse dje shënuam Ditën e Pavarësisë me ceremoni solemne e me ftesë për reflektim e unitet në të cilin besojmë, përballë këtyre kërkesave të drejta e të duhura të të rinjve e të rejave të Kosovës, duhet diçka shumë më shumë sesa reflektimi. Shteti ynë nuk mund të abstenojë nga përgjegjësia që ka ndaj tyre. Fatkeqësisht, nën qeverisjen e Albin Kurtit, jo vetëm që po shohim abstenim për adresimin e këtyre nevoja, por nuk po shohim as përpjekje. Krejt përkundrazi. Qytetarët tanë dhe gjeneratat e reja, si ajo e periudhës së pavarësisë, nuk mund të shpresojnë në të ardhme më të mirë, përderisa një Ambasador si Martin Berishaj, që del se është pjesë e skandaleve ndërkombëtare të mafisë energjetike rajonale, jo vetëm që nuk shkarkohet, por merret në mbrojte nga pushteti. Kosova, nuk mund të jetë vend me perspektivë, përderisa pushtetarët strehojnë protagonistë të aferave mafioze”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas tij, Kosova s’mund të jetë vend me perspektivë, “përderisa inflacioni ju bie si barrë e papërballueshme familjeve kosovare, ndërsa qeveria nuk ka ide se si ta zhbllokojë ekonominë”.
“Nuk mund të ketë të ardhme të sigurt e të qëndrueshme për një vend si Kosova, që ka potencial për të eksportuar energji, e nga keqqeverisja përfundon në terr, ndërsa qytetarët paguajnë faturat më të shtrenjta në rajon. Nuk mund të ketë të ardhme të qëndrueshme e as demokratike, në një vend ku pushteti paragjykon drejtësinë dhe sulmon mediat e lira. Kjo mungesë perspektive, si pasojë e një pushteti të paaftë, sot është duke e zbrazur Kosovën”, ka thënë tutje Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se kjo nuk është e ardhmja që qytetarët e duan për atdheun e tyre.
“E ardhmja e Kosovës duhet të jetë një tregim krejtësisht ndryshe. Jetësimin e asaj të ardhmeje duhet ta nisim tani dhe pa vonesë, së bashku, me dashuri e përkushtim për Kosovën e fëmijëve tanë”, ka përfunduar ai.