Arbëri

Scholz e cilëson planin evropian “mundësi historike” për Kosovën e Serbinë

Mundësi historike për Kosovën dhe Serbinë e ka cilësuar planin evropian, një nga iniciuesit e tij, kancelari gjerman, Olaf Scholz, të premten në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Në fjalimin e tij në këtë konferencë, Scholz e ka përfshirë këtë propozim në lëvizjet që janë bërë drejt “një Evrope më të sigurt”.

“Kjo përfshin edhe të bërit më shumë në zgjidhjen e konflikteve në lagjen tonë. Ky është edhe qëllimi i propozimit evropian, i iniciuar nga presidenti (francez, Emmanuel) Macron dhe unë, për marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës. Shpresoj që Beogradi dhe Prishtina do ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike në interes të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë”, ka thënë Scholzi.

Më herët gjatë ditës, Shcolz e Macron takuan presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Siç ka mësuar KOHA, në këtë konferencë pritet të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Plani evropian nuk parasheh njohje reciproke, por nga Kosova është pranuar “si bazë e mirë” për normalizim raportesh. Kryeministri Kurti ka thënë se ky plan sjell njohje ‘de facto’ e se njohja ‘de jure’ do të jetë “pjesë sekuenciale” e planit.