Arbëri

Vuçiqi dekoron Dejan Pantiqin, ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës të akuzuar për terrorizëm

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dekoaruar me medaljen e artë “Millosh Obiliqi”, Dejan Pantiqin, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës që është i akuzuar për terrorizëm dhe sulm ndaj rendit Kushtetues të Kosovës.

Pantiq ka qenë në mesin e disa personave që është dekoruar të mërkurën nga Vuçiqi, në ditën e shtetësisë së Serbisë.

Pantiq ishte arrestuar nga Policia e Kosovës për sulm ndaj zyrave të Komisionit Zgjedhor Komunal në veri. Arrestimi i tij çoi në ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës.

Pantiq aktualisht gjendet në arrest shtëpiak në veri të Mitrovicës. Medaljen në emër të tij e mori i biri Predrag Pantiq.

“Ky çmim nga shteti, presidenti, është një nder i madh si për babain tim ashtu edhe për ne si familje. Edhe më tej na dëshmon se shteti mendon për ne. Ata ishin me ne nga fillimi, na ofruan çdo mbështetje të nevojshme dhe janë ende prapa nesh”, ka thënë Predrag Pantiq për “Kosovo Online”.