Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka përmendur “mungesën e vizionit qeverisës” si një nga tri shkaqet që, sipas tij, po bëjnë që rinjtë të mos shohin të ardhmen në Kosovë. Dy arsyet tjera, sipas kreut të PDK-së janë mundësitë e kufizuara të punësimit dhe humbja e shpresës.
Në 53-vjetorin e Universitetit të Prishtinës, Krasniqi ka thënë se rikthimi i besimit te të rinjtë për të ardhme të sigurt e mirëfilltë në Kosovë duhet të jetë prioritet i të gjithëve.
Duke e cilësuar UP-në si institucion që formësoi identitetin kombëtar, Krasniqi ka komentuar gjendjen e studentëve tash.
“Fatkeqësisht, sot, shumë studentë të jashtëzakonshëm nuk po e shohin të ardhmen në Kosovë. Shkaqet tashmë janë të mirënjohura: mundësitë e kufizuara të punësimit, humbja e shpresës dhe mungesa e vizionit qeverisës. Prandaj, nëse ekziston sot një prioritet për të cilin duhet të përkushtohemi të gjithë – padyshim është rikthimi i besimit tek të rinjtë për të ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe të mirëfilltë në vendin tonë. Në këtë drejtim, është obligim dhe përgjegjësi e secilit prej nesh që të veprojmë dhe të angazhohemi”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Sipas tij, “ndërtimi i një shteti i cili krijon më shumë mundësi për përmbushjen e potencialit rinor – është i vetmi çelës për të mbajtur rininë tonë të mrekullueshme në vend - e për të cilën kemi aq shumë nevojë”.
“Rinia ka qenë forca shtytëse në rrugën e lirisë dhe pavarësisë. Rinia duhet të jetë edhe energjia e cila ndërton dhe zhvillon vendin tonë. Së bashku mund t'ia dalim - besoni në Kosovë!” ka shkruar tutje ai.