Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vizituar të mërkurën institucionin parashkollor “Yllkat” në Prishtinë, nga ku ka thënë se me propozimin e LDK-së për koeficientin e pagës, puna e edukatorëve do të kompensohej me pagë bazë deri në 650 euro.
“Me Albinën sot vizituam institucionin parashkollor “Yllkat”, në Prishtinë. Aty takuam edukatoret e këtij kopshti që çdo ditë kujdesen për 267 fëmijë. Puna e tyre e çmueshme - në këtë kopsht e secilin tjetër në Kosovë - përveç mirënjohjes, meriton dhe kompensim të dinjitetshëm. Me propozimin tonë për koeficient, ky kompensim merr kuptim sepse për herë të parë paga e tyre bazë arrin në 650 euro”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Ai më tej ka akuzuar Qeverinë për mashtrim sa i përket numrit të çerdheve që i ka premtuar se do t’i ndërtojë brenda një mandati.
“Për fëmijët e familjet kosovare ndërsa, premtimi për 160 çerdhe për një mandat na del vetëm një mashtrim. Tash e dy vite nuk është ndërtuar as edhe një. Në planin e LDK-së, përtej koeficientit 125 do të përkujdesemi që çdo fëmijë, në gjithë vendin, nga mosha 3 vjeç të hyjë në programin e kopshtit”, ka shkruar më tej ai.