Arbëri

ATK-ja u kërkon bizneseve të lëshojnë kuponë fiskalë edhe për shitjet online

Administrata Tatimore e Kosovës(ATK), ka kërkuar nga bizneset që të lëshojnë kuponë fiskalë edhe për shitjet e tyre online.

Përmes një komunikate për media, ATK-ja ka thënë se furnizimi i mallrave dhe shërbime në mënyrë elektronike përmes internetit është një formë e tregtisë, ku tregtia dhe afarizmi në përgjithësi kryhen në të njëjtën mënyrë si në çdo treg tjetër.

Sipas ATK-së, tregtia në distancë, apo elektronike, ose e ashtuquajtur “online”, ndryshon vetëm në atë që prania personale e shitësit dhe blerësit nuk është e nevojshme që furnizimi të kryhet.

“Për të gjitha furnizimet e mallrave dhe/ose shërbimeve përmes internetit (online), furnizuesi obligohet të lëshojë kuponë fiskal apo faturë tatimore, varësisht nga ajo se për kënd bëhet furnizimi. Për furnizimet të cilat bëhen për konsumatorin e fundit (personin fizik jo-afarist), furnizuesi obligohet të lëshojë kuponë fiskal, ndërsa kur furnizimi bëhet për biznesin (personin fizik afarist apo personin juridik), furnizuesi obligohet të lëshojë faturë tatimore”, thuhet në njoftimin e ATK-së .

Më tej thuhet se kuponi fiskal është i obliguar të lëshohet edhe ne rastet kur pagesa bëhet përmes POS-it bankar apo edhe llogarisë bankare. Po ashtu printimi dhe dhënia e kuponit fiskal është e obliguar në momentin e regjistrimit të furnizimit në Pajisje Elektronike Fiskale.

“Pra, aktiviteti i tregtisë përmes internetit (online) obligohet për regjistrimin e transaksioneve përmes Pajisjeve Elektronike Fiskale. Kjo do të thotë se furnizuesi (shitësi) është i detyruar që kur furnizon mallra dhe/ose shërbime përmes internetit, të lëshojë kuponë fiskal dhe atë t'ia dërgojë klientit së bashku me produktin”, thuhet në komunikatën e ATK-së .