Arbëri

Hovenier: Nga marrëveshja e përkohshme do të përfitojnë edhe Kosova edhe Serbia

Ambasadori i SHBA-se ne Kosove, Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka mirëpritur deklarimin e emisarit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, se Kosova ka pranuar në parim propozimin e Bashkimit Evropian. Ai ka thënë se nga marrëveshja do të përfitojnë të dyja shtetet.

“SHBA-ja është e inkurajuar dhe mirëpret vendimin e Kosovës që po ashtu ta pranojë në parim propozimin e Bashkimit Evropian dhe do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e plotë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme për Kosovën dhe për Serbinë”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Më herët gjatë ditës, Lajçaku shfrytëzoi po ashtu Twitterin për të thënë se “i vjen mirë që edhe Kosova tani ka pranuar në parim propozimin evropian”.

Një ditë më parë, Lajçaku qëndroi në Kosovë dhe Serbi për takime me krerët e shteteve. Ai paralajmëroi se do të ketë takime të nivelit të lartë.

Pas takimit të hënën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se e pranon propozimin si “bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si një platformë solide për të ecur përpara”. Kurti në vazhdimësi e ka cilësuar si të tillë propozimin evropian.

Në Prishtinë, Lajçaku ka përsëritur thirrjen e ndërkombëtarëve për themelim të Asociacionit.

Pikat e planit evropian nuk janë bërë ende publike. Ka disa muaj që ky plan u është prezantuar palëve. Aty nuk përmendet njohja reciproke.