Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar për takimin me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
“Një bisedë e hapur dhe miqësore me Miroslav Lajçakun. Kur them e hapur, këtë e mendoj vërtetë. Më keni kuptuar të gjithë”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.
Lajçak ka nisur vizitën fillimisht në Kosovë, ku ka pasur takim me kryeministrin Albin Kurti.
Pas takimit Lajçaku bëri thirrje për zbatim të marrëveshjeve të mëhershme.
“Ne kemi diskutuar për këtë çështje dhe e kam informuar z. Kurti për pozicionin tonë, por nuk dua ta bëj publike analizën ligjore për këtë çështje. Mendoj se ishte e dobishme që patëm këtë diskutim këtu. Çfarë duhet të përsëris sërish është se çdo gjë që është dakorduar në dialog duhet të zbatohet, kjo është se si normalizimi do të arrihet”, tha Lajçaku.