Kurti: Ne e pranojmë propozimin evropian, bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme

- 16:52Kurti: Ne e pranojmë propozimin evropian, bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme
- 15:21Lajçak: Marrëveshja për Asociacionin duhet të zbatohet
- 15:11Kurti në takim me ndërkombëtarët: I gatshëm për takime të radhës në Bruksel
- 13:16Nis takimi Kurti-Lajçak
- 12:55Përfundon takimi i Kurtit me ambasadorët e QUINT-it
- 10:53Kurti takon sot Lajçakun dhe ambasadorët e QUINT-it
- 08:24Lajçaku sot në Kosovë
Kurti: Ne e pranojmë propozimin evropian, bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova e pranon propozimin evropian, të njohur ndryshe si franko-gjerman, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Kurti ka treguar për takimin që ka pasur me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, të hënën në Prishtinë. Kurti ka thënë se konsideron se propozimi evropian është bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur para.
“Një bisedë e mirë me të dërguarin special të BE-së, Miroslav Lajçak, gjatë një dreke pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Good exchange with EU special envoy @MiroslavLajcak over a working lunch in Prishtina. We do accept the EU proposal for normalization of relations between Kosova and Serbia, and consider it a good basis for further discussion and a solid platform for moving forward. pic.twitter.com/gKrymnQAmF
— Albin Kurti (@albinkurti) February 6, 2023
Për takimin e Kurtit me Lajçakun, Qeveria ka lëshuar edhe një njoftim për media.
Kryeministria ka njoftuar se në këtë takim është diskutuar edhe për gjashtë kushtet, të cilat Kurti javën që shkoi i ka paraqitur në para deputetëve në Kuvend, që lidhen me themelimin e Asociacionit të komunave serbe.
“U diskutua për procesin e dialogut, propozimin evropian dhe për gjashtë pikat e prezantuara në Seancën e Kuvendit nga Kryeministri Kurti në lidhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Pas takimit, kryeministri Kurti tha se propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur përpara. Ndërkaq çështje të caktuara që kanë të bëjnë me garancitë ndërkombëtare, mekanizmave zbatues dhe sekuencimin kohor do të adresohen në kuadër të bisedimeve në Bruksel. Kryeministri Kurti gjithashtu shtoi se konceptet demokratike dhe orientimi evropian na mbajnë me shpresë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Lajçak: Marrëveshja për Asociacionin duhet të zbatohet
Ka përfunduar takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe emisarit të Bashkimit Evropian, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në një prononcim për media Lajçak tha se vizita e tij është në kuadër të diskutimeve për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë se diskutimi ka qenë i përqendruar te plani evropian, i njohur tashmë si plani franko-gjerman.
Lajçak ka thënë se çështje e diskutimit ishte edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
“Vizita ime e sotme në Prishtinë është vazhdimësi e përpjekjeve diplomatike që të arrihet progres në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me bazë propozimin evropian. Kjo është në fakt vizita ime e 10-tç që nga shtatori dhe sigurisht që kemi diskutuar për propozimin dhe gjithashtu përgatitjet për takim konstruktiv të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuciq. Misioni im do të vazhdoj me takimin me Vuciq më vonë. Ne kemi diskutuar gjithçka që është në propozim, ne kemi diskutuar gjithçka që është në agjendë të dialogut, por bazë për diskutimet e tona është propozimi evropian që unë e kam paraqitur në shtator. Ne duam të sigurohemi që do të lëvizim përpara në bazat e këtij propozimi dhe kur të sjellim dy liderët në Bruksel takimi të jetë konstruktiv”, ka thënë ai.
I pyetur për kushtet e vendosura nga Kurti për themelimin e Asociacionit, ai ka thënë se BE-ja ka qëndrim lidhur me këtë porse nuk mund ta shpalosë aktualisht. Ka shtuar se vlen rregulli që të gjitha marrëveshjet e nënshkruara duhet të zbatohen.
“Ne kemi diskutuar për këtë çështje dhe e kam informuar Kurtin për pozicionin tonë por nuk kisha dashur ta bëjë publike një analizë ligjore për këtë çështje. Mendoj se ishte e dobishme që patëm këtë diskutim këtu. Çfarë duhet të përsëris sërish është se çdo gjë që është dakorduar në dialog duhet të zbatohen kjo është se si normalizimi do të ndërtohet”, ka thënë ai.
Kurti në takim me ndërkombëtarët: I gatshëm për takime të radhës në Bruksel
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i njoftoi ambasadorët dhe diplomatët e vendeve të huaja për gjashtë kushtet që lidhen me themelimin e Asociacionit të komunave serbe.
Nga kryeministria thanë të hënën se Kurti ka shprehur gatishmëri për takime të radhës në Bruksel të nivelit të lartë politik dhe të fuqizimit të procesit të dialogut, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me njohje në qendër.
Në takimin me Kurtin e zv.kryeministrin Besnik Bislimi, ishin i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
“Ndër të tjerash, ai tha se Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për dialog përmes qasjes konstruktive dhe propozimeve kreative. Ai po ashtu shprehu gatishmërinë e tij për takime të radhës në Bruksel të nivelit të lartë politik dhe intensifikim të procesit të dialogut për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatë.
Nis takimi Kurti-Lajçak
Ka nisur takimi mes emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kryeministrit Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Në takim ka mbërritur edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovës, Jeffrey Hovenier.

Takimi po mbahet në një nga lokalet në kryeqytet.
Kurti paraprakisht ka zhvilluar një takim me ambasadorët e QUINT-it.
Temë e takimit me Lajçakun është Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Përfundon takimi i Kurtit me ambasadorët e QUINT-it
Ka përfunduar takimi i kryeministrit Albin Kurti, me ambasadorët e QUINT-it.
Takimi është mbajtur në ndërtesën e Qeverisë.
Nuk është bërë ende e ditur se për çfarë kanë biseduar, porse ky takim i paraprinë atij me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Kurti ka paralajmëruar se takimin me Lajçakun do ta mbajë menjëherë pas tij me ambasadorët.
Kurti takon sot Lajçakun dhe ambasadorët e QUINT-it
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet me ambasadorët e QUINT-it të hënën nga ora 11:00.
Pas këtij takimi, pritet që Kurti ta zhvillojë drekën e punës me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili do të qëndrojë të hënën në Kosovë.
Në këtë drekë pune do të jetë i pranishëm edhe zv.kryeministri Besnik Bislimi.
Takimi me ambasadorët e QUINT-it do të fillojë pas lansimit të platformës për punësimin e të rinjve nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
Kurti u ka bërë thirrje fuqive perëndimore që të mos i bëjnë presion Prishtinës që të pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështje që po rrit tensionet midis Kosovës dhe Serbisë.
Kurti ka thënë se në vend të kësaj Perëndimi duhet të përqendrohet që ta bëjë Serbinë më demokratike dhe të largojë, ato që ai i quajti ide hegjemoniste të Beogradit.
Lajçaku sot në Kosovë
I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pritet ta vizitojë të hënën Kosovën.
Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, Lajçaku do të takojë kryeministrin Albin Kurti dhe zv.kryeministrin Besnik Bislimi.
Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë për KOHËN të dielën se do të ketë drekë pune, mirëpo nuk kanë bërë të ditur për temat e diskutimit.
Burime diplomatike kanë thënë se është e qartë se dy tema gjatë kësaj vizite do të jenë kryesore propozimi franko-gjerman dhe presioni për Asociacionin.
Sipas burimeve, propozimi tashmë ka marrë mbështetje ndërkombëtare dhe atë tashmë e mbështesin të gjitha vendet e BE-së. Blloku insiston se Kosova e ka obligim themelimin e Asociacionit.
I dërguari i BE-së e vizitoi Kosovën ditë më parë. Ai pati shkruar se me Kurtin e Bislimin janë dakorduar që Kosova t'i zbatojë të gjithë marrëveshjet e kaluara.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Hasani: Serbia s’do të ndalet derisa ta shtrijë sovranitetin formal në Kosovë

Hasani: Norvegjia për një fjalë goje të ministrit humbi territor në Grenlandë sa dhjetë Kosova

Institucioneve u kërkohet shtim i përpjekjeve për siguri afatgjatë të resurseve ujore

Raporti i DASH-it për Serbinë: Shqiptarët në Luginën e Preshevës subjekt i diskriminimit

Nxënësit mësojnë për menaxhimin e parasë dhe kulturën e të kursyerit

Posta e Kosovës s’shpërndan dërgesa në veri, gjykatat i kërkojnë ndihmë Policisë

DASH: Korrupsioni qeveritar dhe dhuna me bazë gjinore, ndër problemet kyçe në Kosovë

Borrell: Marrëveshja krijon status-quo të re në dialog, Asociacioni urgjencë

Hoti: Pika për të zhdukurit u refuzua mbi 4 herë, Deklarata të nënshkruhet ditët në vijim

Deputeti shqiptar i Parlamentit të Suedisë hero, ia shpëton jetën një foshnje në Mal të Zi

Kohavision me njoftim për abonuesit e platformës “KUJTESA”
