Arbëri

Ligji i premtuar për transplantim organesh s’është në plan as sivjet

Kosova është vendi i vetëm në rajon që nuk e ka të rregulluar infrastrukturën ligjore për transplantimin e organeve për pacientët në nevojë. Në mungesë të këtij ligji, pacientët detyrohen që të drejtohen jashtë vendit. E ai ishte premtuar që të nxirrej në Kuvend gjatë vitit 2022, porse hartimi i tij, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nuk është paraparë të bëhet as sivjet

Ligji për transplantim të organeve ishte premtuar që të nxirrej para Kuvendit qysh në vitin e shkuar, porse hartimi i tij nuk është paraparë as për këtë vit, për ta lënë Kosovën si të vetmin vend në rajon pa infrastrukturë ligjore për kryerjen e transplantimeve.

Zotimin për konkretizimin e Ligjit dhe nxjerrjen e tij për votim në Kuvend brenda 2022-s e pati dhënë në prillin e vitit të shkuar ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

“Kjo nuk është paraparë vitin e kaluar që të vijë në Kuvend, por ne e kemi shtuar këtë dhe do ta sjellim sa më shpejt që të jetë e mundur, por gjithsesi këtë vit, për shkak se ne e kemi një numër të madh të pacientëve që kanë dështim të veshkave, por kanë edhe dështim të indeve të tjera, siç është palca e ashtit. Prandaj, ne do të bëjmë krejt çka është e mundur për ta sjellë këtë ligj në Kuvend”, pati thënë Latifi.

Afro një vit më vonë, në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se hartimi i Ligjit është paraparë për të 2024-tën.

“Ministria e Shëndetësisë për vitin 2023 ka paraparë plotësimin dhe ndryshimin e legjislacionit primar, sikurse Ligjin për shëndetësi, sigurime shëndetësore, pajisje dhe produkte mjekësore, ndërsa sa i përket transplantimit të organeve, fillimisht do të hartohet koncept-dokumenti për transplantim të organeve dhe pastaj hartimi i ligjit në vitin 2024, duke e marrë parasysh kompleksitetin e kësaj fushe”, thuhet në një përgjigje të MSH-së.

Në mungesë të Ligjit, pacientët që kanë nevojë për transplantim të organeve shtrëngohen që të gjejnë alternativa jashtë vendit. Në Ministrinë e Shëndetësisë, të pyetur rreth numrit të pacientëve të referuar për transplantime jashtë vendit, kërkuan që të kontaktohet Fondi për Sigurime Shëndetësore. Por në këtë institucion, për më tepër se dy janë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS rreth numrit të pacientëve dhe vendeve në të cilat ata janë referuar për trajtim.

Ligji parashihet që ta rregullojë infrastrukturën ligjore për pacientët që kanë nevojë të kryejnë edhe transplantim të veshkave.

Në Klinikën së Nefrologjisë, e cila e bën referimin e pacientëve që kanë probleme me mosfunksionim të veshkave, mjekët dhe pjesëtarët e menaxhmentit i refuzuan kërkesat e KOHËS për të ofruar të dhëna mbi rastet dhe për rëndësinë e Ligjit.

E të rëndësishëm e quan hartimin e Ligjit për transplantim, nefrologu Ymer Elezi, i cili rreth shtatë vjet më parë ka qenë pjesë e ekipit hartues.

“I rëndësishëm është sepse pacientët po shkojnë në botën e jashtme me 100 peripeci të ndryshme e harxhime materiale e të tjera. E dyta është sepse kursehen edhe fondet buxhetore sepse kemi të bëjmë me një procedurë shumë të shtrenjtë, e cila në botën e jashtme trefishohet e pesëfishohet. Kështu që Kosovës i kushton shumë në aspektin material. Transplantimi është ëndërr e çdo pacienti”, ka thënë Elezi.

Në Kuvend, ndër vite, janë bërë dy përpjekje për miratimin e Ligjit për transplantimin e organeve, porse asnjëra prej tyre nuk ka arritur që të konkretizohet.