Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka paraqitur planin 10-pikësh për politikën serbe në periudhën vijuese, shumica prej të cilave janë të ndërlidhura me çështjen e Kosovës. Në seancën e Kuvendit të Serbisë, ku në rend dite ishte raporti rreth bisedimeve me Kosovën, pas zotimit për ruajtjen e paqes, presidenti serb si pikë të dytë e ka listuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Pika 2 është këmbëngulja e vazhdueshme për formimin e Asociacionit, i cili duhet ta përbëjë kornizën ligjore dhe fizike për të drejtat e popullit tonë dhe për organizimin e tyre në Kosovë e Metohi, me mbështetjen e Serbisë, të cilën askush nuk guxon që ta parandalojë. Bashkësia e Komunave Serbe nuk mund të jetë model i ndonjë organizate joqeveritare, Bashkësia duhet të jetë ajo që është nënshkruar në Bruksel”, ka thënë Vuçiq.
“Ne duam që të bisedohet dhe të negociohet për të gjitha temat që kanë të bëjnë me të gjitha çështjet kyç rreth bashkëpunimit midis serbëve dhe shqiptarëve dhe në çfarë mënyre ata mund të jenë të përfaqësuar në çfarëdo trupa”.
Ai është shprehur i hapur për vazhdimin e bisedimeve, por në mesin e 10 pikave nuk e ka listuar edhe planin franko-gjerman, mbi bazën e të cilën BE-ja e SHBA-ja kërkojnë të zhvillohen negociatat.
E gjatë debatit në Kuvend, Vuçiq tha se pjesa më e vështirë e planit franko-gjerman është pika 4, e cila thotë se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.
“Në këtë drejtim, ndoshta e vetmja gjë e mirë është në preambulën, e cila nuk vë në pikëpyetje pikëpamjet e ndryshme të palëve për çështjet themelore, përfshirë çështjen e statusit”, ka theksuar Vuçiq.
Por deputetë të opozitës kanë akuzuar Vuçiqin se negociatat me Kosovën i ka kthyer në kartë për ta mbajtur pushtetin.
“Presidenti tani po flet lidhur me propozimin për Kosovën dhe M., pastaj marrëveshjen, nismën, pastaj platformën, pastaj kornizën për veprim të ardhshëm për Kosovën dhe M,, si dhe për Perëndimin. Vendet e tjera nuk e kërcënuan Serbinë me sanksione, por vetë presidentin dhe e akuzuan atë se i zhvillon negociatat për Kosovën dhe M. vetëm për mbrojtjen e interesave të veta dhe qëndrimin në pushtet”, është shprehur Robert Kozma nga Partia e Gjelbër.
Sipas tij, SHBA-ja dhe Britania e Madhe vendosën sanksione ndaj, siç tha ai, “bashkëpunëtorëve të ngushtë” të Vuçiqit, përkatësisht Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, dhe se SNS-ja (partia e Vuçiqit v.j.) mbolli një "mbretëri frike" në veri të Kosovës në vend që të fokusohej për jetesë më të lehtë për serbët.
Akuzat ndaj Qeverisë së Kosovës për dhunë e presion ndaj serbëve të Kosovës janë përfshirë edhe në raportin e Vuçiqit lidhur me ecurinë e deritashme të negociatave.
Derisa Kuvendi i Serbisë mbante seancën, disa serbë kanë protestuar në Beograd, duke kërkuar që të mos mbështetet plani franko-gjerman dhe asnjë ujdi tjetër që do t’i hapte anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara (OKB).
10 pikat e Vuçiqit
Pika 1: Politika jonë do të jetë që në pothuajse çdo mënyrë dhe me çdo çmim ta ruajmë paqen dhe stabilitetin, që të përmbahemi dhe të mos u përgjigjemi provokimeve, përveç nëse jetët dhe pronat e njerëzve nuk rrezikohen, ngase paqja dhe stabiliteti janë parullë jona. Kjo është gjëja prej së cilës varen jeta në Serbi, ajo që e mundëson ruajtjen e mbijetesës biologjike të popullit tonë.
Pika 2: Këmbëngulja e vazhdueshme për formimin e Asociacionit, i cili duhet ta përbëjë kornizën ligjore dhe fizike për të drejtat e popullit tonë dhe për organizimin e tyre në Kosovë e Metohi, me mbështetjen e Serbisë, të cilën askush nuk guxon ta parandalojë.
Pika 3: Siguria për serbët në Kosovë, që askush të mos brengoset kur t’i dërgojë fëmijët në shkollë, vetëm ngase mban emër dhe mbiemër serb.
Pika 4: Jetë më e mirë për popullin tonë në Kosovë e Metohi.
Pika 5: Që të bisedohet dhe të negociohet për të gjitha temat që kanë të bëjnë me të gjitha çështjet kyç rreth bashkëpunimit midis serbëve dhe shqiptarëve, e deri te bisedimet se si dhe në çfarë mënyrë ata të jenë të përfaqësuar në çfarëdo trupa.
Pika 6: Ruajtja e interesave tona vitale shtetërore dhe kombëtare, ruajtja e vendimmarrjes sonë të pavarur, që askush të mos na përzihet, që të mos shkojmë për një mendim as në Washington, as në Moskë apo Bruksel, ngase vendimet merren vetëm në Serbi, me respektimin e Kushtetutës së Serbisë.
Pika 7: Interes ynë jetësor është që të mbesim në shtegun evropian, pasi që shtegu evropian nënkupton investime dhe standard, paga dhe pensione.
Pika 8: Rritja e Serbisë, energjetika, ushqimi dhe ushtria, me ç’rast ushqimi është shumë i rëndësishëm, ushtria duhet të jetë më e fuqishme për dy apo tri herë sesa që është sot, sepse e ka ruajtur popullin tonë në Kosovë e Metohi. Zhvillimin e shëndetësisë e kemi të nevojshëm, për çka duhet të angazhohemi më tepër.
Pika 9: Vazhdimi i bisedimeve, ne nuk i ndërpresim bisedimet ngase do të ishim tërësisht të izoluar, askush nuk do të na fliste, e ne të vetëm nuk do të mund të funksionim në botën bashkëkohore.
Pika 10: Pavarësisht të gjitha krizave, pagat po rriten, do t’i arrijmë disa vende në BE, e kjo do t’i kthejë njerëzit në Serbi.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.