Të mbijetuarit e Masakrës së Studimes së Vushtrrisë kanë kërkuar punë të shtuar nga institucionet e drejtësisë për t’i vënë para drejtësisë kryesit e krimeve të luftës. Për një prej rasteve ku kanë dëshmuar të mbijetuarit është “Vukotiq 1”, rast ky që është bllokuar në Gjykatën e Mitrovicës. Në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor të mbajtur të enjten, Gjykatës Themelore të Prishtinës i është kërkuar t’i marrë lëndët e Mitrovicës, shkaku i mbingarkesës së krijuar nga dorëheqjet e gjyqtarëve serbë.
Shaip Gërxhaliu, i mbijetuari i Masakrës së Studimes së Vushtrrisë, është një ndër dëshmitarët e paktë që ka rrëfyer në gjykatë për krimet serbe.
Gërxhaliu që tash është 70-vjeç, për herë të fundit në Gjykatën e Apelit në Prishtinë në vitin 2018 ka dëshmuar kundër Zoran Vukotiqit për vrasjen e një 14-vjeçari, ku u vranë 116 vetë.
Në atë kohë ai dëshminë e tij e ka dhënë para gjyqtarëve e prokurorëve të EULEX-it.
“Një grusht ma dha, tha grahi traktorit në rekë me krejt familjen edhe jemi tërheqë. E njihja. Unë kam punuar postier, krejt pagesat e postës ja merrja nëpër zyre... Kam pirë çaj me të, kam pirë kafe me të dhe për këtë arsye e njihja, dhe pasi e kam parë atë djalin duke e vrarë jam bërë dëshmitar”, ka thënë Gërxhaliu.
Ai shprehet i zhgënjyer me neglizhencën e institucioneve që po u bëhen këtyre rasteve.
Gjykata Themelore në Mitrovicë nuk ka mbajtur seancë lidhur me këtë rast për më shumë se tre vjet.
Edhe me gjykatësit po çuditem. 96 atë natë janë të vrarë këtu, pastaj janë vrarë edhe 8, 15, 3 e 4 e 5 e krejt. Të vriten tërë këta njerëz e të mos dënohet asnjë ditë ai, duke e parë njerëzit se kush ka qenë dhe ta lirojnë dhe ta lënë pa gjykim, kjo është për t’u çuditur”, ka shtuar Gërxhaliu.
I çuditur me mungesën e rezultateve në hetim, ndjekje e gjykim të krimeve të luftës për Masakrën e Studimes shprehet edhe Zymer Gërguri, i mbijetuar i kësaj masakre.
“Po qe se duan të punojnë, shënimet i kanë edhe të EULEX-it. Jemi edhe disa dëshmitarë të gjallë ende këtu. Unë s’po e shoh që po punojnë diçka”, ka deklaruar Gërguri.
Masakra e Studimes është një prej tri rasteve ku akuzohet Vukotiqi.
Dy raste të tjera që kanë mbetur pa u gjykuar janë: “Vukotiq 2”, ku ai akuzohet për vrasjen e katër civilëve dhe keqtrajtimin e 18 civilëve, dhe “Vukotiq 3”, në të cilën dyshohet për vrasjen 13-vjeçarit Burim Muli.
I pagjykuar ka mbetur edhe rasti “Drenica 1”, ku Sylejman Selimi akuzohet për keqtrajtim të një personi të ndaluar.
Çështja e ngecjes së lëndëve në Mitrovicë është diskutuar në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor.
Kryesuesi i këtij këshilli, Albet Zogaj, u kërkoi përfaqësuesve të Gjykatës Themelore në Prishtinë t’i marrin lëndët e ngecura të Mitrovicë. E këta të fundit kanë kërkuar mbështetje nga Departamenti Special që i trajton këto raste, me profilizim e rritje numri të gjyqtarëve.
“...Të ketë disa lëvizje të lëndëve në Departamentin Special, veçanërisht të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, për shkak të gjendjes që është krijuar pas dorëheqjes së gjyqtarëve të komunitetit serb në këtë gjykatë dhe nga shkaku se ato lëndë përfaqësohen nga Prokuroria Speciale dhe besojmë që efektivisht do të ishte shumë më e dobishme që të trajtohen në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me shkas sigurisht mirëpres edhe mirëkuptimin e kryetares së gjykatës”, ka thënë Zogaj.
“Vetë struktura organizative e Departamentit Special është e aprovuar për 12 pozita dhe në fakt sot Departamenti Special i ka minus dy pozita....Lëndët e krimeve të luftës janë të ndjeshme, viktimat janë të ndjeshme dhe nuk mundemi ato lëndë t’i zvarrisim me vite të tëra, e kjo do të ndodhë nëse nuk e mendojmë paraprakisht se si duhet ta funksionalizojmë dhe si të ngriten kapacitetet në këtë çështje”, ka deklaruar Albina Rama-Shabani, kryetare e Themelores në Prishtinë.
Fondi për të Drejtën Humanitare e ka kritikuar sistemin gjyqësor për stërzgjatje të trajtimit të këtyre lëndëve, derisa ka vlerësuar se me të shkelen të drejtat e familjeve të viktimave, si edhe të akuzuarve për gjykim në kohë të arsyeshme.