Arbëri

Blinkeni e Cholleti flasin me Vuçiqin e Daçiqin për dialogun me Kosovën

Descriptive Text

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka njoftuar se ka zhvilluar bisedë telefonike me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq të mërkurën.

Përmes një postimi në Twitter, Blinken ka bërë të ditur se temë e bisedës ka qenë dialogu Kosovë-Serbi, përkatësisht propozimi i BE-së, i njohur si plani franko-gjerman.

“Fola me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për ta falënderuar për angazhimin e tij konstruktiv me ekipin e SHBA-së dhe BE-së javën e kaluar dhe për hapjen e tij ndaj propozimit të BE-së për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, i cili është thelbësor për sigurimin e së ardhmes evropiane të Serbisë”, tha Blinken.

Në anën tjetër, këshilltar i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka njoftuar se është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Përmes një postimi në Twitter ai ka thënë se me Daçiqin janë diskutuar përpjekjet për të promovuar paqe dhe siguri më të madhe në rajon.

“Në vazhdimësinë e telefonatës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, me presidentin serb, Aleksandër Vuciq, takim i mrekullueshëm me Ministrin e Jashtëm serb Daçiq. Ai rikonfirmoi miqësinë e kahershme mes nesh dhe shprehu mbështetjen për angazhimin e Serbisë në dialogun me Kosovën dhe përpjekjet për të promovuar paqe/siguri më të madhe në rajon”, ka shkruar Chollet.