Arbëri

Qeveria planifikon që sivjet t’i përcjellë në Kuvend 100 projektligje të reja

Agjenda legjislative për vitin 2023 përmban gjithsej 100 projektligje të reja. Në mesin e tyre është edhe Kodi Civil, të cilin Qeveria ka planifikuar që në qershor t’ia përcjellë për miratim Kuvendit. Monitorues të punës së Kuvendit shprehën pritjen që të jetësohet pjesa më e madhe e agjendës legjislative.

100 projektligje të reja Qeveria e Kosovës synon t’ia dorëzojë Kuvendit për miratim brenda këtij viti. E, 59 nga to ka qëllim që t’i procedojë deri në fund të qershorit.

Deri atëherë trajtim pritet të marrë edhe Kodi Civil, të cilin Ekzekutivi e ka rikthyer në agjendë pas gati një viti, prej kur edhe vetë deputetë të partive në pushtet nuk kishin dhënë mbështetje për miratim.

Ndër projektligjet e tjera që Qeveria ka planifikuar të miratohen sivjet janë: Projektligji për Sigurimet Shëndetësore; ai për Banimin Social, për Skemat Sociale, Projektligji për Gjykatat e Noterinë, e edhe disa marrëveshje ndërkombëtare për kredi.

Arbër Thaçi, monitorues i punës së Kuvendit, ka thënë se agjenda e paraparë nga Qeveria është voluminoze, por shpreh optimizëm se një numër i madh i tyre do të miratohen.

“Në tërësi programi legjislativ na lë të kuptojmë për një vit voluminoz të ngjashëm me atë të vitit të kaluar, në kuptimin e një agjende mjaft të ngarkuar por edhe të një numri mjaft të madh të projektligjeve që mbase mund të miratohen dhe të marrin dritën e gjelbër në Kuvend”, ka thënë Thaçi nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Krahas 100 projektligjeve të reja, edhe rreth 50 projektligje të tjera të sjella nga Qeveria gjatë dy vjetëve ndodhen në procedurë shqyrtimi e miratimi në Kuvend.

“Do të ishte mirë që të veprohet me një agjendë pak më kronologjike në kuptimin e kohës, dhe projektligjet e kaluara të marrin trajtimin e duhur”, ka deklaruar Thaçi.

Në programin legjislativ të sivjetmë nuk është listuar asnjë nismë ligjore nga dy ministri që udhëhiqen nga pjesëtarë të komuniteteve – ajo për Komunitete dhe Kthim dhe Ministria për Çështje Rajonale.

Ndërkaq prej dikastereve qeveritare që më së shumti ka sponsorizuar ligje të reja është Ministria e Financave me 16 sosh, ndërsa më së paku Ministria e Mbrojtjes, e cila ka planifikuar të miratohen gjithsej 2 ligje.